Miratimi i propozimit francez në Kuvend, Pendarovski: Nënkupton mbështetje për agjendën evropiane

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, e ka përshëndetur miratimin e propozimit francez në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, njofton Portalb.mk.

“Vendimet e sotme të Kuvendit dhe Qeverisë nënkuptojnë mbështetje për agjendën evropiane të vendit. Vendimet nuk ishin aspak të lehta për t’u marrë, por do të mundësojnë zhbllokimin e integrimeve evropiane dhe zbatimin e procesit të nevojshëm të skriningut. Tani është e nevojshme që BE-ja të ofrojë, pa vonesë”, shkruan Pendarovski.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot e ka miratuar informacioni për propozimin francez, pasi lista e deputetëve që morën fjalën u shterua. 68 deputetë votuan “për”, ndërkaq paraprakisht sallën e kanë lëshuar deputetë të koalicionit VMRO-DPMNE dhe deputetët e Levicës. Pas votimit deputetët e shumicës parlamentare me duartrokitje e përshëndetën miratimin e propozimit francez dhe valëvitën flamujt e RMV-së dhe BE-së.

Në sallën e Kuvendit në dy ditët e para atmosfera u përcoll me akuza nga të dy taborët. VMRO-DPMNE-ja opozitare dhe Levica kërkuan refuzim të këtij propozimi i cili, sipas tyre, çon drejt asimilimit të popullit maqedonas dhe shantazhe dhe pengesë shumëvjeçare e procesit eurointegrues nga ana e Bullgarisë. Për dallim nga ata, nga deputetët e partive qeveritare qetësonin se korniza negociuese ofron moscenim të integritetit territorial dhe gjuhës maqedonase dhe fillim të negociatave për anëtarësim të plotfuqishëm në BE.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button