Makron: Votimi i propozimit francez në Kuvendin e RMV-së zgjedhje vendimtare për BE-në
Presidenti i Francës, Emanuel Makron e ka përshëndetur miratimin e propozimit francez në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, njofton Portalb.mk.
“Me votimin e sotëm sovran në favor të propozimit të dhënë nga Franca në fund të udhëheqësisë së saj me Këshillin e Bashkimit Evropian, Kuvendi maqedonas edhe njëherë bëri zgjedhje vendimtare për Evropën”.
En votant souverainement aujourd’hui en faveur de la proposition faite par la France au terme de sa Présidence du Conseil de l’Union européenne, le Parlement macédonien fait une fois de plus le choix résolu de l’Europe.
— Emmanuel Macron (@EmmanuelMacron) July 16, 2022
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot e ka miratuar informacioni për propozimin francez, pasi lista e deputetëve që morën fjalën u shterua. 68 deputetë votuan “për”, ndërkaq paraprakisht sallën e kanë lëshuar deputetë të koalicionit VMRO-DPMNE dhe deputetët e Levicës. Pas votimit deputetët e shumicës parlamentare me duartrokitje e përshëndetën miratimin e propozimit francez dhe valëvitën flamujt e RMV-së dhe BE-së.
Në sallën e Kuvendit në dy ditët e para atmosfera u përcoll me akuza nga të dy taborët. VMRO-DPMNE-ja opozitare dhe Levica kërkuan refuzim të këtij propozimi i cili, sipas tyre, çon drejt asimilimit të popullit maqedonas dhe shantazhe dhe pengesë shumëvjeçare e procesit eurointegrues nga ana e Bullgarisë. Për dallim nga ata, nga deputetët e partive qeveritare qetësonin se korniza negociuese ofron moscenim të integritetit territorial dhe gjuhës maqedonase dhe fillim të negociatave për anëtarësim të plotfuqishëm në BE.
- LEXO: Debat me fjalor të papërshtatshëm në Kuvend, BE përsëriti se Maqedonia e Veriut duhet të shfrytëzojë mundësinë për negociata
- LEXO: Qeveria e RMV-së: I dënojmë sulmet jo të civilizuara në Kuvend nga ana e opozitës
Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.
Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.
Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria. Sofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.
Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.
- LEXO: Qeveria dorëzoi në Kuvend shtesën e Informacionit për përmbajtjen e kornizës së propozim-negocimit
- LEXO: Këshilli e Ambasadorëve: Kompromiset të vështira, por “propozimi francez” betonon dhe garanton gjuhën dhe identitetin maqedonas
- LEXO: MPJ: Sërish u shfaqën informacione të pasakta për përmbajtjen e Protokollit që të prishen konsultimet për propozimin francez