Kovaçevski: Qeveria e miratoi propozimin francez, më 19 korrik do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare

Pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e votoi propozimin francez, Qeveria ne seancë pasdite e miratoi propozimin e udhëheqësisë franceze, njofton Portalb.mk.

“Miratuam vendim për pranimin e propozimit francez të 30 qershorit. Me këtë vendim e respektojmë procesin e bisedimeve hyrëse të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Në këtë seancë qeveritare e rrumbullakuam në mënyrë objektive edhe një proces historik për vendin tonë”, tha kryeministri Kovaçevski.

Ai shtoi se seanca e parë ndërqeveritare do të mbahet të martën më 19 korrik në Bruksel.

“Sot kam nderin ta paralajmëroj datën për konferencën e parë ndërqeveritare e cila duhet të mbahet më 19 korrik në Bruksel. Pastaj, Evropa do të jetë në Shkup, a Republika e Maqedonisë së Veriut në Bruksel me kapacitete të plota, qasje në fonde, njohuri, parime të vërteta dhe më e rëndësishmja, vlera ndaj të cilave përpiqemi dhe i dëshirojmë dhe të gjitha ato në bazë të identitetit tonë, veçantisë nacionale dhe shtetërore dhe historisë e cila do të shihet në të gjitha qendrat evropiane”, tha kryeministri.

Në lidhje me protokollin që vendi duhet ta nënshkruajë me Sofjen zyrtare, kryeministri paralajmëroi se ministri i Jashtëm, Bujar Osmani do ta informojë Republikën e Bullgarisë, a gjatë ditës edhe detajisht do ta informojë opinionin për tërë këtë proces.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot e ka miratuar informacioni për propozimin francez, pasi lista e deputetëve që morën fjalën u shterua. 68 deputetë votuan “për”, ndërkaq paraprakisht sallën e kanë lëshuar deputetë të koalicionit VMRO-DPMNE dhe deputetët e Levicës. Pas votimit deputetët e shumicës parlamentare me duartrokitje e përshëndetën miratimin e propozimit francez dhe valëvitën flamujt e RMV-së dhe BE-së.

Vetëm dhjetëra minuta pas miratimit të propozimit francez në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, arritën përshëndetjet nga kreu i Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian.

Në sallën e Kuvendit në dy ditët e para atmosfera u përcoll me akuza nga të dy taborët. VMRO-DPMNE-ja opozitare dhe Levica kërkuan refuzim të këtij propozimi i cili, sipas tyre, çon drejt asimilimit të popullit maqedonas dhe shantazhe dhe pengesë shumëvjeçare e procesit eurointegrues nga ana e Bullgarisë. Për dallim nga ata, nga deputetët e partive qeveritare qetësonin se korniza negociuese ofron moscenim të integritetit territorial dhe gjuhës maqedonase dhe fillim të negociatave për anëtarësim të plotfuqishëm në BE.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button