Mickoski për miratimin e propozimit francez në Kuvend: Asgjë s’ka mbaruar

Informacioni që kaloi në Kuvend nuk ka asnjë kuptim sepse korniza miratohet nga qeveria, por, për rrjedhojë, detyrimet që dalin nga korniza e negociatave, që është ndryshimi i Kushtetutës me qëllim të futjes së bullgarëve, nuk do të kalojnë në Kuvendin e Maqedonisë, tha lideri i opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, në konferencë për media pas votimit të propozim-konkluzioneve për propozimin francez, transmeton Portalb.mk.

Mickoski tha se deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit kanë nënshkruar deklarata të noterizuara në të cilat marrin përsipër të mos pranojnë ndryshime në Kushtetutë. Përfshirja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë është kusht për konferencën e dytë ndërqeveritare dhe fillimin e negociatave me BE-në.

“Populli mund të jetë i qetë, ky nuk është viti 2019. Me iniciativën e deputetëve si garanci me të cilën angazhohemi ndaj qytetarëve për premtim tonë, me synimin për të bllokuar tradhtinë e kësaj Qeverie, janë deklaratat e deputetëve të vërtetuara në noter, se me ndërgjegje të pastër dhe të shëndoshë ata nuk do të pranojnë ndryshimin e Kushtetutës dhe për këtë garantojnë me nderin, ndërgjegjen dhe dorëheqjen e tyre që hyn në fuqi menjëherë nëse kjo ndodh. Besoj se asnjë deputet nuk do ta miratojë këtë tradhti dhe ju e keni fjalën time që nuk do të ndodhë. Këto janë ato deklarata, të noterizuara”, tha kreu i opozitës duke mbajtur në dorë disa letra.

Ai shtoi se pas përfundimit të mandatit të deputetëve të LSDM-së do të përgjigjen penalisht, ndërsa qytetarëve u tha se “asgjë nuk ka përfunduar”.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot e ka miratuar informacioni për propozimin francez, pasi lista e deputetëve që morën fjalën u shterua. 68 deputetë votuan “për”, ndërkaq paraprakisht sallën e kanë lëshuar deputetë të koalicionit VMRO-DPMNE dhe deputetët e Levicës. Pas votimit deputetët e shumicës parlamentare me duartrokitje e përshëndetën miratimin e propozimit francez dhe valëvitën flamujt e RMV-së dhe BE-së.

Vetëm dhjetëra minuta pas miratimit të propozimit francez në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, arritën përshëndetjet nga kreu i Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian.

Në sallën e Kuvendit në dy ditët e para atmosfera u përcoll me akuza nga të dy taborët. VMRO-DPMNE-ja opozitare dhe Levica kërkuan refuzim të këtij propozimi i cili, sipas tyre, çon drejt asimilimit të popullit maqedonas dhe shantazhe dhe pengesë shumëvjeçare e procesit eurointegrues nga ana e Bullgarisë. Për dallim nga ata, nga deputetët e partive qeveritare qetësonin se korniza negociuese ofron moscenim të integritetit territorial dhe gjuhës maqedonase dhe fillim të negociatave për anëtarësim të plotfuqishëm në BE.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button