BDI dhe LSDM e përshëndetën vendimin e Kuvendit për propozimin francez: Qytetarët nuk ranë pre e mashtrimeve

Partitë e koalicionit qeveritar LSDM dhe BDI e kanë përshëndetur miratimin e propozimit francez në Kuvend, me çka i hapet rrugë zhbllokimit të vetos bullgare dhe fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian, njofton Portalb.mk.

“LSDM e përshëndet vendimin e shumicës së deputetëve në kuvendin maqedonas dhe i uron të gjithë qytetarëve. Vendimi historik i kuvendit maqedonas nënkupton vazhdim të rrugës evropiane të shtetit dhe anëtarësim në BE si maqedonas me gjuhë të pastër maqedonase.. Fitues me këtë vendim janë të gjithë qytetarët,, pasi që është e siguruar ardhmëria e tyre evropiane të cilën e meritojnë, për të cilën janë të orientuar dhe për çka përkushtohet ky shtet që nga pavarësia e saj”, thonë nga LSDM, duke shtuar se nuk patën sukses skenarët e zeza dhe përpjekjet për destabilizim.

Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndet vendimin historik pro propozimit francez të miratuar nga ana e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut që vulosi orientimin ideologjik të vendit pa alternativë tjetër, atë të integrimit në Bashkimin Evropian.

“Sot triumfoi racionaliteti, u ruajtën rrënjët evropiane të vendit dhe u mposhtën tentativat destruktive të forcave regresive proruse. Qytetarët e vendit nuk ranë pre e mashtrimeve, provokimeve, konfuzionit dhe nuk përkrahën protestat që kishin për qëllim të kthejnë vendin prapa pas gjithë atyre sakrificave dhe arritjeve të përbashkëta. Rrugëtimin tonë drejt Evropës do të bëjmë bashkë, me dinjitet dhe kapacitet të plotë demokratik. Në përkrahje kemi të gjithë vendet e Evropës, Shtetet e Bashkuara të Amerika me të cilat kemi ngadhënjyer në të gjitha sfidat e demokratizimit të vendit”, thonë nga BDI.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot e ka miratuar informacioni për propozimin francez, pasi lista e deputetëve që morën fjalën u shterua. 68 deputetë votuan “për”, ndërkaq paraprakisht sallën e kanë lëshuar deputetë të koalicionit VMRO-DPMNE dhe deputetët e Levicës. Pas votimit deputetët e shumicës parlamentare me duartrokitje e përshëndetën miratimin e propozimit francez dhe valëvitën flamujt e RMV-së dhe BE-së.

Në sallën e Kuvendit në dy ditët e para atmosfera u përcoll me akuza nga të dy taborët. VMRO-DPMNE-ja opozitare dhe Levica kërkuan refuzim të këtij propozimi i cili, sipas tyre, çon drejt asimilimit të popullit maqedonas dhe shantazhe dhe pengesë shumëvjeçare e procesit eurointegrues nga ana e Bullgarisë. Për dallim nga ata, nga deputetët e partive qeveritare qetësonin se korniza negociuese ofron moscenim të integritetit territorial dhe gjuhës maqedonase dhe fillim të negociatave për anëtarësim të plotfuqishëm në BE.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button