Ahmeti dhe Gruevski vetë do të vendosin për resorët ministror

Liderët e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti pritet që personalisht në takim të  vendosin për resorët ministror që do të kenë këta dy parti në mandatin qeverisë, pasi më parë për këtë kanë diskutuar ekipet negociuese, transmeton gazeta Dnevnik.

Nuk ka konfirmim nëse takimi eventual mes Gruevskit e Ahmetit të realizohet deri në fund të javës ku dhe do të bisedonin për kolltukët ministrorë.

Mbetet e hapur mundësia, që emrat e ministrave të vulosen dy ditët e fundit para afatit ligjor kur mandatari duhet të dorëzojë programin qeveritarë dhe përbërjen e kabinetit të ri, sepse BDI prej më herët ka paralajmëruar se kuadrot e tyre do t’i shpalos pas Kongresit partiak që do të mbahet më 5 qershor. 

Resorët

Sipas informacioneve nga dy partitë, madje nuk priten shumë ndryshime as në resorët me të cilët kanë udhëhequr deri tani VMRO-DPMNE dhe BDI, ndaj dhe nuk pritet ndonjë befasi në politikën e kuadrove.

Gjithnjë sipas “Dnevnik”, është e qartë se BDI ka ngelur pa Ministrinë e Mbrojtjes dhe në llogari të kësaj në bisedimet në tavolinë janë resorët për Punë dhe politikë sociale, Shëndetësi dhe Arsim. Nga partitë brifojnë se BDI në kohëve të fundit insiston në Ministrinë e Arsimit, derisa VMRO-DPMNE nuk është e përgatitur për një hap të këtillë.

Sipas një funksionari nga partia e Gruevskit, puna ka shkuar deri aty, që nëse partneri shqiptarë ngul këmbë në Ministrinë e arsimit, “atëherë të arrihet marrëveshje politike që ministri i këtij resori të veprojë në pajtueshmëri me programin e VMRO-DPMNE-së në pjesën e arsimit, e që me këtë partia të parandalojë raste të reja të ndryshimit të emrave të shkollave?

Sipas të gjitha gjasave resori i Mbrojtjes në fund, megjithatë do të kompensohet me Punë dhe politikë sociale. Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE, ka treguar interes që të kthejë Ministrinë e Drejtësisë, por nuk ka informacion për atë se nga cili resor do të dorëzoheshin.

Nëse nuk ka befasira, pritet që BDI në kuadër të së njëjtit format prej pesë ministrive dhe dy vendeve të zv/kryeministrave të vazhdojë të udhëheq me Ekonominë, Ambientin jetësorë, Vetëqeverisjen lokale, Drejtësinë dhe plus Ministrinë për të cilën do të merren vesh, si dhe me Sekretariatin për eurointegrime dhe për Marrëveshjen kornizë. Në bisedime janë përmendur edhe eshalonët më të ulët dhe institucionet dhe Ndërmarrjet shtetërore.

Thuhet se edhe këtu partnerët qeveritarë nuk do të ndryshonin shumë, me atë që nëse BDI merr Ministrinë për punë dhe politikë sociale, Fondi për sigurim pensional do të kthehet në duart e VMRO-DPMNE-së.

Njësitë më të ulëta të partive kanë shkëmbyer informacione se Ahmeti ende insiston për kuadër udhëheqës në pjesën e gjyqësisë – kërkon që njeriu i parë i Këshillit të prokurorëve publik të jetë shqiptar dhe për këtë vend është i gatshëm të jep vendin e kryetarit në Gjykatën administrative.

Lajme të ngjashme

Back to top button