Qeveria e RMV-së: I dënojmë sulmet jo të civilizuara në Kuvend nga ana e opozitës

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut publikisht përmes një kumtese i dënoi sulmet skajshmërisht jo të civilizuara dhe fyerjet e theksuara në Kuvend nga ana e deputetëve të VMRO-DPMNE-së ndaj përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian, njofton Portalb.
 
“Ashpër e dënojmë gjuhën e urrejtjes që këtyre viteve opozita me këmbëngulje po e përhap dhe tenton ta imponojë në opinion nga foltorja kuvendore, por edhe nga bllokimet dhe protestat në rrugë. Qëllimi kryesor i këtyre sulmeve turpëruese dhe të ulëta është që ta pengojnë Republikën e Maqedonisë së Veriut në procesin eurointegrues”, informojnë nga pres-shërbimi qeveritar.
Pozicionet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, thuhet në kumtesën qeveritare, fuqishëm dhe qartë jemi të vendosur të jemi pjesë e familjes evropiane ku edhe përkasim, duke i mbrojtur interesat kombëtare dhe gjuhën maqedonase.
“Për këtë arsye, Qeveria me gjithë kapacitetin e saj do të vazhdojë të punojë në prosperitetin e vendit dhe anëtarësimin e saj të plotfuqishëm në Union”, shtojnë nga Qeveria.
Ndryshe, në protestën e sotme “Ultimatum – Jo faleminderit” janë arrestuar gjithsej pesë persona.

“Sot (14.07.2022) deri në orën 16:30 janë arrestuar pesë persona të cilët kanë hedhur sende të forta në objektin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. S.N. (44) nga Shkupi, D.K. (41) nga Shkupi, A.S. (30) nga fshati Bardhovë, M.S. (26) nga Shkupi dhe B.C. (29) nga fshati Konjari i Poshtëm”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.

Pas dokumentimit të rasteve do të bëhen parashtresat përkatëse.

Deri sa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen mbante fjalim në Kuvend, jashta godinës së Kuvendit simpatizantët e VMRO-DPMNE-së protestonin kundër “propozimit francez”. Gjatë fjalimit të Leyen, dy deputetët e Levicës, Dimitar Apasiev dhe Borisllav Kërmov, e braktisën sallën duke ia vendosur në foltore Leyenit një  transparent ku shkruante “JO” (për propozimin franecz).

Ministria e Brendshme apelon qytetarët, nëse dikush njeh ndonjë nga banditët, siç janë gjashtë personat nga fotot e publikuara, të cilët më datë 05.07.2022 u sollën dhunshëm gjatë protestës së paparalajmëruar, duke hedhur sende të forta në drejtim të kordonit të policisë dhe godina e Kuvendit, gjatë së cilës u plagosën 47 punonjës policie, mund të lajmërojnë në numrin e telefonit 192 ose në komisariatin më të afërt.

Kujtojmë se opozita maqedonase VMRO-Levica mbi një javë protestojnë kundër propozimit francez, madje pasditen e 5 korrikut është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.

Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri. Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button