Prokuroria: Njëra prej pistoletave që u përdor te “Skënderbeu” nuk ishte armë zjarri

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Shkupit ka ngritur procedurë kundër një personi për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer vepër penale “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” sipas nenit 288, paragrafi 1 nga Kodi Penal, njofton Portalb.mk.

“Më 6 korrik, kur një turmë pjesëmarrësish në tubim publik janë afruar drejt sheshit “Shkënderbeu” në Shkup, i dyshuari ka qenë pjesë e grupit të qytetarëve në shesh të cilët janë grindur me pjesëmarrësit e protestës dhe kanë gjuajtur me gjësende mes tyre. Në atë moment, i dyshuari ka nxjerrë pistoletë për sinjalizim me zë-dritë të tipit “EKOL Aras Magnum” dhe ka shkrepur një plumb në ajër. Me ekspertizë është konstatuar se bëhet fjalë për pistoletë e cila e ka të hequr pjesën e brendshme të tubit me një pengesë e cila pamundëson shkrepjen e projektilit nga municioni i armës së zjarrit, kështu që pistoleta nuk paraqet armë zjarri”, thonë nga Prokuroria.

Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Penale të Shkupit, të dyshuarit i ka caktuar masë kujdesi – ndalesë për lëshim të vendbanimit, paraqitje e obligueshme te organi kompetent dhe marrje të përkohshme të dokumentit të udhëtimit dhe ndalesë për dhënie të dokumentit të ri.

Sipas informimeve paraprake të Prokurorisë tre persona kanë qenë me pistoleta.

Prokuroria për Portalb.mk sqaroi se pistoleta në fjalë është e personit të tretë të arrestuar dhe se nuk është e Isuf Kokës, ashtu siç informojnë media të caktuara. Koka siç thonë nga Prokuroria ndodhet në paraburgim.

Personi tjetër ka poseduar pistoletë, por nuk ka gjuajtur. Për atë po ndiqet procedurë për marrjen e lejës për pistoletë.

Ndryshe pasditen e 6 korrikut është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas kundër propozimit francez, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës. Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë. Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka shpërndarë një fotografi të një personi me pistoletë në dorë, duke akuzuar se “ky është personi i cili është dashur të më vret”. Dhunën e protestuesve e kanë dënuar partitë në vend, por edhe faktori ndërkombëtar.

Qyteti i Shkupit pas incidentit njoftoi se drejtori Zudi Enuzi është shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës drejtor në Ndërmarrjen Publike Higjiena Komunale, pasi vëllai i tij ka gjuajtur me armë zjarri gjatë protestës së sotme.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button