Propozimi francez: PLD në linjë me konkluzionet e propozuara nga LSDM në Kuvend

Pas mbledhjes së Këshillit Qendror të partisë, PLD-ja njoftoi se kanë arritur në disa konkluzione lidhur me propozimin francez, përkatësisht informacionin për përmbajtjen e propozimit për kornizën negociuese për negociatat për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimi Evropian, i propozuar nga Presidenca e Francës me Këshillin e Bashkimit Evropian. Nga konkluzionet e publikuara të PLD-së, kuptohet se udhëzimi për dy deputetët nga radhët e tyre, Monika Zajkova dhe Boban Mojsovski, është që në seancën e Kuvendit të votojnë për “po”, transmeton Portalb.mk.

Në njoftimin e PLD-së thuhet se duke u nisur nga interesat strategjike dhe nacionale të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, PLD pa mëdyshje angazhohet për anëtarësim të plotë të vendit tonë në Bashkimin Evropian, me të gjitha të veçoritë e sajat kulturore, gjuhësore, historike dhe identitare, si dhe të gjitha 27 shtetet e tjera anëtare të Bashkimit. Nga PLD-ja shtuan se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të vazhdojë bisedimet me Bashkimin Evropian për të zhbllokuar proceset integruese evropiane, ndërsa pas mbledhjes partiake kanë konstatuar më shumë konkluzione lidhur me propozimin francez.

“PLD konsideron se të gjitha çështjet e mundshme dypalëshe të imponuara nga Bullgaria duhet të lihen jashtë kornizës së negociatave dhe çdo përpjekje për të futur çështje të tilla është e papranueshme dhe PLD nuk do të mbështesë asnjë përpjekje të një natyre të tillë.

Për PLD-në, procesverbalet (protokollet) dypalëshe të nënshkruara nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Bullgarisë do të jenë të detyrueshme për të dyja vendet, nuk duhet t’i referohen procesit të integrimit evropian dhe të gjitha çështjet duhet të miratohen me konsensus absolut, dypalësh dhe vendase.

PLD punon për miratimin e kornizës së negociatave në Konferencën e parë Ndërqeveritare, e cila do të fillojë negociatat e anëtarësimit, procesin e shqyrtimit dhe më pas hapjen e kapitujve.

Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut që në vazhdimësi ta informojë Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për Kornizën finale të harmonizuar negociuese dhe dokumentet tjera të miratuara nga Këshilli i BE-së, si dhe për të gjithë procesin”, thuhet në konkluzionet e PLD-së.

Ndonëse nuk ka një qëndrim saktësisht të qartë nëse janë “pro” apo “kundër” propozimit, konkluzionet e PLD-së praktikisht gjenden në ato të shumicës qeverisëse të shpallura dje nga LSDM-ja.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button