RMV, për 45 përqind është rritur numri i të infektuarve me kovid-19 në 3 ditë

Numri i rasteve aktive me kovid-19 në vend është rritur me 45 për qind nga e hëna e deri dje, megjithëse nuk ka pasur vdekje të raportuara gjatë kësaj jave. Komisioni për Sëmundje Infektive pritet të mbajë sot mbledhje për të diskutuar situatën me koronavirusin në vend, transmeton Portalb.mk.

Sipas statistikave të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, në 24 orët e fundit janë kryer 1.365 teste dhe janë regjistruar 494 raste me COVID-19, nga të cilat 105 janë riinfektime. Janë shëruar 276 pacientë, ndërsa nuk janë raportuar të vdekur.

Nga gjithsej 2.309 raste aktive, numri më i madh është nga Shkupi – 1.231 ose 50 për qind e numrit të rasteve aktive janë në kryeqytet. Nuk ka raste aktive të virusit në Krushevë, Makedonska Kamenicë dhe Pehçevë.

Masat për mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse në transportin publik, objektet shëndetësore, farmacitë, ambientet për kujdesin e të rriturve dhe personave me aftësi të kufizuara mbeten të vlefshme.

Në rrjedhë është vaksinimi për dozën e katërt kundër COVID-19. Të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç mund ta marrin vaksinën në të gjitha pikat e vaksinimit pa caktuar termin. Doza e katërt zhvillohet me vaksinën Pfizer ose Moderna mRNA. Intervali ndërmjet dozës së tretë dhe të katërt rekomandohet të jetë së paku katër muaj.

Deri më tani në vend janë kryer gjithsej 2.094.710 testime për COVID-19. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me COVID-19 në vend që nga fillimi i epidemisë është 317.634, numri i të shëruarve është 305.988, ndërsa numri i të vdekurve është 9.337.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button