Në kopshtin zoologjik, brenda dy ditësh janë vrarë më shumë se 10 kuaj dhe mushka si ushqim për luanët, padi penale për 6 persona

Është e paqartë se nga vijnë këto kafshë që u vranë dje dhe pardje në kopshtin zoologjik në Shkup. Drejtori i Kopshtit zoologjik, Kristijan Stamenov, pohon se u janë ndarë nga Agjencia për Pasuri të Konfiskuar, ndërsa drejtori i Agjencisë, Faton Asani, pohon se në pesë vitet e fundit, derisa ai është drejtor, nuk ka ndodhur që të jepen kafshë të gjalla në ndonjë kopshtit zoologjik, as ndonjë kafshë të jetë vrarë, shkruan Vistinomer.mk, transmeton Portalb.mk.

Në kopshtin zoologjik të Shkupit, gjatë dy ditëve të fundit janë vrarë mbi 10 kuaj dhe mushka, që t’u jepen si ushqim kafshëve mishngrënëse, dëshmojnë së paku tre punonjës të kopshtit zoologjik, ndërsa informacionin e konfirmoi drejtori Kristijan Stamenov. “Vërtetmatësi” erdhi te një nga fotot ku shihet gjak në asfaltin e Kopshtit Zoologjik si pasojë e vrasjes së kafshëve. Punonjës të këtij institucioni reagojnë se deri më tani nuk ka ndodhur që kuajt të vriteshin në mes të Kopshtit Zoologjik, por ushqimi për kafshët ishte siguruar ekskluzivisht me tender.

Ka deklarata të ndryshme për atë se si kuajt kishin mbërritur në kopshtin zoologjik që të vriten. Drejtori i Kopshtit Zoologjik, Stamenov, pohon se ato ua ka dhënë Agjencia për prona të konfiskuara, ndërsa drejtori i Agjencisë, Faton Asani, thotë se në pesë vitet e fundit, derisa ai është drejtor, nuk ka ndodhur që kafshë të gjalla t’i jepen ndonjë kopshti zoologjik. Prandaj lind pyetja nëse kafshët janë sjellë në mënyrë ligjore dhe legjitime në Kopshtin Zoologjik, dhe më pas janë vrarë.

“Kemi mundësi për shfrytëzim ekonomik të kafshëve. Këto kafshë na i kanë dhënë nga Agjencia për Pasuri të Konfiskuara dhe bëhet fjalë për kafshë që nuk janë për përdorim. Ato pak që janë të shëndosha mund të jenë eksponate, por të tjerat kishin plagë dhe lëndime. Angazhuam person të veçantë që vrau kafshët, kemi mundësi të tillë ligjore. Na i dhanë 16 kafshë. E di që askush nuk është i lumtur për këtë, por ne kemi mishngrënës dhe pasi na i dhanë, na takon ne të vlerësojmë nëse mund të jenë eksponate apo jo”, thotë Stamenov për “Vërtetmatësi”.

Nëse shikoni të dhënat nga ueb-faqja për prokurim publik, shihet se në maj të këtij viti ka pasur tender për blerjen e mishit si ushqim për kafshët, në vlerë prej 73 mijë euro, për tërë vitin.

Prandaj, është e paqartë përse janë vranë kafshë të tjera si ushqim për mishngrënësit.

Ajo që mbetet gjithashtu e paqartë është origjina e këtyre kuajve, të cilët sipas njohurive të deritanishme janë sekuestruar nga hajdutët e drurit dhe janë dorëzuar në Agjencinë e Pasurive të Konfiskuara.

“E gjithë bagëtia e gjallë që mbërrin tek ne e dorëzojmë në burgun e Idrizovës, sepse nuk kemi as stalla e as ushqim për kafshët. Në burg ka stalla dhe aty kujdesen për kafshët, sigurisht që nuk i vrasin. Kemi një rekord për çdo kafshë të dorëzuar. Nuk kemi dorëzuar kurrë një kafshë në Kopshtin Zoologjik, të paktën jo në pesë vitet e fundit që jam unë drejtor. Le të tregojnë një dokument pranim-dorëzim, sepse ne nuk kemi procesverbal të tillë”, thotë drejtori i Agjencisë Faton Asani për Vërtetmatësi.

Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) thonë se nuk janë të njoftuar me rastin, por se çdo kafshë para se të vritet për të shërbyer si ushqim për mishngrënësit duhet të kontrollohet nga veterineri, i cili do të vlerësojë gjendjen e shëndetësore dhe për çdo kafshë duhet të ketë dokumentacion përkatës.

Ndërkohë pas këtij skandalit që tronditi opinionin dje, u shkarkuar ushtruesi i detyrës së drejtorit të Kopshtit Zoologjik të Shkupit, Kristijan Stamenov, njoftojnë nga Qyteti i Shkupit dhe distancohen nga veprimet individuale të drejtorit.

“Kultura, edukata janë aktivitetet themelore të Kopshtit Zoologjik – Shkup, dhe qëllimi i tij kryesor është të mbajë, të rritë dhe të prezantojë ekspozita të gjalla dhe t’i bëjë ato të disponueshme për publikun e gjerë. Vendimi personal i drejtorit nuk korrespondon me angazhimet themelore për mbajtjen humane dhe mbarështimin e kafshëve dhe për të njëjtën, përgjegjësi duhet të mbajë drejtori, prandaj edhe shkarkohet”, njoftuan nga Qyteti i Shkupit duke u distancuar nga veprimet individuale të drejtorit.

Zyrtarët policor nga Departamenti për për polici kriminale në MPB dhe Departament për çështje kriminale Karposh kanë arrestuar dje në orën 18:00 pesë persona, D.M.(25), A.M.(43), M.H.(45), V.G.(46), punonjës të Kopshtit Zoologjik në Shkup dhe Z.R (44), punonjës i jashtëm.

Gjatë një vizite në kopshtin zoologjik, pas informacioneve të marra paraprakisht, ata u gjetën në dhomat ndihmëse të kopshtit zoologjik (kuzhina për përgatitjen e ushqimit për kafshët) duke përgatitur ushqim nga kuajt (12 kuaj dhe një mushkë) të cilat i therin në vend për ta përdorur mishin si ushqim për kafshët e egra në Kopshtin Zoologjik, njofton MPB.

“Personat janë ndaluar në stacionin policor, ku është thirrur edhe K.S.(35), drejtor i Kopshtit Zoologjik, me të cilin është zhvilluar bisedë zyrtare. Në vendngjarje kanë dalë edhe inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, të cilët kanë konstatuar parregullsi në procedurë dhe kanë marrë mishin. Ministria e Punëve të Brendshme Shkup kundër të gjashtë personave do të paraqesë kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Shkupit”, thonë nga MPB.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button