Biden: Mënyra më e mirë për të zgjidhur konfliktin Izrael-Palestinë është zgjidhja me dy shtete

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka deklaruar se “mënyra më e mirë për të zgjidhur konfliktin Izrael-Palestinë është zgjidhja me dy shtete”, raporton Anadolu Agency (AA).

Biden u takua me kryeministrin Yair Lapid në Izrael, ku realizoi takime zyrtare.

Gjatë takimit të mbajtur në Kudsin Perëndimor, Biden dhe Lapid mbajtën një konferencë të përbashkët për media pas nënshkrimit të “Deklaratës së Partneritetit të Përbashkët Strategjik të Kudsit” midis SHBA-së dhe Izraelit.

Duke iu drejtuar presidentit Biden, në deklaratën e tij Lapid tha se, “diplomacia nuk do të funksionojë” kundër aktiviteteve bërthamore të Iranit.

“Ata duan të shkatërrojnë të vetmin shtet hebre në botë. Këtë nuk do ta lejojmë kurrë. Fjalët nuk do t’i ndalin ata. Zoti president, diplomacia nuk do t’i ndalojë ata. E vetmja gjë që do ta ndalojë Iranin është të dijë se bota e lirë do të përdorë forcën nëse ata vazhdojnë të zhvillojnë programin e tyre bërthamor. E vetmja mënyrë për t’i ndaluar ata është të vendosësh një kërcënim të besueshëm ushtarak në tryezë”, tha Lapid.

Presidenti amerikan, Biden, duke përmendur luftën e Rusisë kundër Ukrainës kritikoi presidentin rus, Vladimir Putin.

“Sulmi i Putinit ndaj Ukrainës është një sfidë për paqen dhe stabilitetin në mbarë botën. Lufta e Putinit duhet të jetë një dështim strategjik dhe bota e lirë duhet të mbështesë vendosmërinë tonë për të ndihmuar Ukrainën të arrijë demokracinë. SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën dhe ukrainasit e shkatërruar dhe të zhvendosur nga dhuna ruse”, tha Biden.

“Ne kurrë nuk do të lejojmë që Irani të bëhet një fuqi bërthamore”

Duke iu referuar aktiviteteve bërthamore të Iranit, Biden tha se kurrë nuk do të lejojnë që “Irani të bëhet një fuqi bërthamore”.

“Unë vazhdoj të besoj se diplomacia është mënyra më e mirë për të arritur këtë rezultat. Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me Izraelin për të kundërshtuar kërcënimet nga Irani në rajon, siç është programi i raketave balistike që mbështet terrorizmin dhe transferimin e armëve te terroristët si Hezbollahu dhe filialet e tyre”, tha Biden.

Theksi në “zgjidhjen me dy shtete”

Presidenti Biden ka theksuar se do të vazhdojnë të punojnë për një paqe të qëndrueshme midis Izraelit dhe Palestinës.

“Izraeli duhet të mbetet një shtet i pavarur, demokratik dhe hebre. Mënyra më e mirë për ta arritur këtë është një zgjidhje me dy shtete ku të dy popujt do të jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri”, u shpreh Biden.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button