Një banor i Strugës gjeti ariun e vogël të plagosur rreth rrugës dhe e dërgoi menjëherë te veterineri

Goce Mitreski, nga Struga, thotë se para disa ditësh e ka gjetur një arushan të murrmë të mbështjellë me ferra, i cili kishte qenë dukshëm i plagosur, i çorientuar, i dehidratuar dhe kishte pas vështirësi për të lëvizur për shkak të lëndimit të njërës këmbë. Mitreski ka qenë duke vozitur në rrugën nga Struga për në Radozhdë dhe, siç thotë, kur e ka vërejtur arushanin, është ndalur, ka parë se diçka nuk ishte në rregull, e ka marrë dhe menjëherë e ka dërguar te veterineri në Ohër, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Kur e pashë arushanin, e mora menjëherë dhe e dërgova te një veteriner në Ohër. Në bazë të vendit ku e gjeta, mendoj se ka rënë nga ndonjë shkëmb. Ishte mbështjellë në ferra”, tha Mitreski në një prononcim, për Meta.mk, duke shtuar se veterineri i ka dhënë arushanit vitamina dhe terapi të tjera.

“Tani është mirë, akoma çalon nga pak me këmbën, por mendoj se është mirë”, thotë Mitreski.

Arushanit i jep mjaltë dhe fruta, pastaj luleshtrydhe dhe pjeshkë, por thotë se nuk di çfarë të bëjë më pas. Thotë se do të duhet ta kthejë atje ku e ka gjetur sepse nuk mund ta mbajë në shtëpi.

“Tërë natën e kam shikuar në kamerë dhe ai tashmë po ngrihet dhe po lëviz, por për shkak se është më mirë nuk më lë ta preki”, thotë Mitreski.

Ai tani pret që inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë të bëjnë një raport për arushanin, i cili sipas vlerësimit të veterinerit që e ka ekzaminuar është rreth 3 muajsh.

Një mundësi tjetër është adoptimi i arushanit nga aktivistët e Four Paws (Katër Putrat) nga Bullgaria, pasi në vendin tonë nuk ka qendra për shpëtimin e kafshëve të egra.

Dimitar Ivanov nga Four Paws –Bulgari, për Meta. mk, thotë që sapo e kanë pranuar informacionin për rastin i kanë kontaktuar autoritetet nga Maqedonia e Veriut dhe ua  kanë dhënë udhëzimet përkatëse për fillimin e procedurës së shpëtimit.

“Sipas ligjit, ariu është pronë e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe ata duhet të lëshojnë vendim. Ne e dërguam mendimin tonë ku i shpjeguam mundësitë. Më së miri është të gjejmë një mënyrë që arushani të rehabilitohet, siç kemi bërë tashmë dy herë me arushanë nga Maqedonia në Bullgari. Kjo do të ishte zgjidhja ideale, por nuk varet vetëm nga ne. Ne jemi të gatshëm t’u ndihmojmë institucioneve që ta përfundojnë procedurën sa më shpejt, sepse sa më gjatë që arushani qëndron në kontakt me njerëz, në kushte të papërshtatshme, aq më i pasigurt do të jetë rehabilitimi dhe kthimi në natyrë”, tha Ivanov.

Aktivistja për të drejtat e kafshëve, Tina Mickovska, thotë se pas marrjes së informacionit për arushanin nga Struga, menjëherë i ka njoftuar të gjitha institucionet kompetente. Shpreson se do të gjendet një zgjidhje e shpejtë për arushanin.

“Përgëzime për humanizmin dhe përpjekjen për të shpëtuar këtë arushan. Menjëherë i lidha me Four Paws dhe Parkun e Arinjve që Vallëzojnë, nga Bullgaria, me të cilët janë vazhdimisht në kontakt për trajtimin, kujdesin dhe sjelljen e arushanit”, thotë Mickovska, duke shtuar se ky nuk është rasti i parë i tillë, kurse ariu i murrmë është thesar kombëtar dhe specie e mbrojtur.

Siç shton ajo, para disa muajsh, së bashku me përfaqësuesit e Four Paws, kanë pasur takime me Sekretarin e Përgjithshëm të Qeverisë dhe Ministrinë e Mjedisit Jetësor, lidhur me mundësinë e hapjes së një rezervati për arinjtë në Maqedoni, por edhe të një qendre për shpëtimin e kafshëve të egra.

“Shpresoj dhe apeloj, mbi të gjitha, që të jetë prioritet që do të realizohet sa më shpejt që mundet, sepse me vite kafshët e egra përfundojnë ose në kopshte zoologjike ose fatkeqësisht vriten sepse janë lëshuar në natyrë, ndërkohë që nuk kanë qenë plotësisht të rehabilituara”, tha Mickoska.

Çështja ndërlikohet edhe më shumë për shkak të mungesës së një rezervati për arushat e egra ose qendrës për shpëtimin e kafshëve të egra, si dhe nga procedurat e shumta burokratike ndërinstitucionale rreth asaj se kush është përgjegjës për këto çështje. Nga Sektori për Mbrojtje Shëndetësore dhe Mirëqenie të Kafshëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se tashmë po ndërmerren aktivitete për shpëtimin e arushanit. Shtojnë se ekziston mundësia që zgjidhja të gjendet me akomodimin e tij në ndonjë vend tjetër. Megjithatë, së pari duhet të shohim saktësisht se çfarë lëndimesh ka arushani, duke qenë se ai ka ende vështirësi gjatë ecjes.

Sidoqoftë, Goce Mitreski, i cili e gjeti arushanin, thotë më së miri është të kthehet në natyrë, afër vendit ku është gjetur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button