Osmani: Protokollin me Bullgarinë do ta publikojmë para se të nënshkruhet

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani sonte në TV 24 deklaroi se Protokolli me Bullgarinë ende nuk është harmonizuar, por kur të bëhet, masat e parapara në dokumentin bilateral do të shpallen para se ta nënshkruajnë autoritetet, transmeton Portalb.mk.

“Së pari, propozimi francez nuk ka asnjë lidhje me Protokollin. Protokolli është dypalësh, ato përkojnë vetëm në kohë për hir të të gjithë paketës. Protokolli është procesverbal i një takimi që ende nuk është zhvilluar. Pra, ajo që do të diskutojmë në mbledhje do të përfshihet në procesverbal, i cili më pas do të nënshkruhet nga ministrat. Por masat që parashikojmë janë të përafruara dhe mendoj se këto ditë do të jenë plotësisht të përafruara. Ajo që mund të them është se ato masa do të bëhen publike përpara se të nënshkruhen”, theksoi Osmani.

Sipas shefit të diplomacisë, nuk ka asgjë të diskutueshme në Protokoll, si dhe në të gjithë propozimin francez, por edhe Bullgaria është e pakënaqur me kompromisin e propozuar.

“Nuk janë të kënaqur, sepse duhet ta njohin gjuhën maqedonase, zyrtarisht në Bashkimin Evropian. Ata nuk janë të kënaqur… e vetmja gjë që morën ishte ndryshimi i Kushtetutës për të përfshirë bullgarët. Nuk ka asgjë më shumë në propozimin francez si kompromis, përveç kësaj”, tha Osmani.

Propozimi francez nesër do të jetë para deputetëve në Kuvend, ndërsa seanca u caktua pasi Qeveria dërgoi në Kuvend disa nga dokumentet lidhur me propozimin. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, për të njëjtën ditë, gjysmë ore para fillimit të kësaj seance, caktoi edhe një tjetër, në të cilën do të flasë kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button