fbpx

NËPËR KOSOVË DHE RRETH KOSOVËS

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve….

– Tempulli i Meshtroviçit apo i Filipoviçit? –

 

Vetëm një vjet ka kaluar që nuk kam dalë në fushën e bërë të famshme me humbjen tonë, e tashmë ndryshimet po duken. Ajo anë e saj që duket nga treni është e bukur, si në vitrinë. Shtëpitë e kolonizatorëveme tjegulla të kuqe i kanë dhënë Kosovës pamje tjetër. Vendbanime të tëra duken të kuqrremta në tufat e rrezeve të diellit pranveror. Do të kishin qenë më shumë vendbanime kolonizatorësh po të kishte pasur pak më shumë mend. Se vështirë është të kuptohet si arritën grekët të vendosin një milion njerëz për një kohë më të shkurtër se ne dhe prej dhjeta mijave që vendosëm ne. Megjithatë dora e Perëndisë është me ne: të mundurit largohen ngadalë dhe kolonizimi do të bëhet më shpejt dhe në rrethana më të volitshme.

            Rrafshi i gjerë i Kosovës e ndërron ngjyrën si deti. Ishte e vrugtë ngjyra kur në vjeshtën e vonë të vitit një mijë e nëntëqind e dymbëdhjetë u nisëm nga Sanxhaku drejt Shkodrës. Pastaj regjimentin tonë e ndalëm në Vushtri dhe mbetëm aty pesë muaj. Por kur u nisëm nga Mitrovica, dikush nga ushtarët tha: “Prej këtu fillon Kosova”. – “Kosova”? rrymoi nëpër rreshta. Disa e prekën tokën me dorë, disa qeshnin si fëmijë nga gëzimi. Pastaj kur në pranverë të trembëdhjetës  para luftës me bullgarët u nisëm për në Lumë, Kosova u bë e kuqe. E mbuluar me lulëkuqe dhe me një shkëlqim mëngjesor dukej e re dhe e larë. Lulëkuqe në tytat e pushkëve, lulëkuqe në frerët e kuajve, kështu që e tërë kolona dukej si ndonjë gajtan i kuq gjarpëror. Kurse verës kur po ktheheshim nga Prizreni dhe kur arritëm në atë kodrinën përmbi Shtimje, Kosova shpërtheu para syve tonë e kaltër si det i hapët në ditën e qetë me diell. Atëherë ndihmësi i mitralozit të dytë Petar Munjiçi nga Gorobila ia mori këngës me një zë të zgjatur: ” Moj Kosovë oj fushë e rrafshtë… Dhe i gjithë formacioni i mitralozëve e përcolli pastaj duke shikuar kaltërinë e pafund të Kosovës.

Kosova me epin e vet është ndërthurur në grimcat e shpirtit të aq brezave, pra edhe të këtij brezit tonë. Brezat vdisnin me vaj pse s’kishin mundur të marrin hak[1]. Lëvizja e rinisë e viteve shtatëdhjetë të shekullit nëndëmbëdhjetë e ngrinte lart në këngë dhe në argëtim[2]. Kosova ishte ideal i largët, kah i cili duhej të synonim. Nuk ka pasur poet me vlerë i cili prej kohësh e deri më sot të mos e ketë përmendur. Kral Milani duke hyrë në Nish i shqipton këto fjalë: “Edhe pse flamuri serb midis Nishit valëvitet, Kosova e pikëlluar ende pret hakmarrjen tonë”. Bënin kryq në vitin dymbëdhjetë ushtarët e njësiteve të para që depërtuan në Kosovë, bënin kryq dhe e puthnin tokën: u realizua ëndrra e aq brezave[3].

Prandaj turqit sistematikisht e me vendosmëri për lakmi e zhduknin popullin tonë. E kolonizonin me muhaxherë nga Toplica, e popullonin me element musliman nga viset tjera[4]. Që asgjë mos të gjejmë në Kosovë[5].

Vitin e kaluar z. Ivanaj, redaktori i “Republikës” së Shkodrës, e vizitoi z. Godarin në Pariz.

– Mirë se erdhët, i dashuri mik, ia nisi z. Godari. Para pak çastesh ishte te unë Bajram Curri. Ma kërkon njëfarë Kosove. A do të keni mirësinë të ma tregoni në hartë ku është kjo?[6]

– Do t’ua tregoj. Po këtu është një hall i vogël. Ajo për serbët është vend i shenjtë[7]. Pesë shekuj kanë kënduar për të. Për të është lidhur Aleanca Ballkanike. Dhe nëse ky ekuilibër i prishur pas luftës së suksesshme ballkanike solli luftën botërore dhe kufijtë e rinj në Evropë, atëherë rëndësia e saj është edhe më e madhe. Është e pamundur të merret pa ndonjë gjakderdhje tmerrësisht të madhe.

– Atëherë kjo e ndërron çështjen në themel…

– Një anglez ka thënë se ai duhet të jetë ndonjë popull i tmerrshëm pasi i kremton humbjet e veta. Ndërkaq kujtimi i Vidovdanit të Kosovës është ngulitur përmes lahutës në shpirtin e gjithë popullit për shkak se në ato çaste është varrosur shkëlqimi i tij dhe bukuria e një mënyre kalorsiake. Të vetëdijshëm se do të bien nga një forcë më e madhe trimat e Kosovës megjithatë u përcaktuan për mbretërinë qiellore[8].

Secili prej nesh tashmë e ka një pasqyrë për secilin nga ata. Të gjitha këto janë pak a shumë të ngjashme, për shkak se mbështeten në poezinë popullore[9]. E në bazë të saj ato janë bukuri mashkullore, shpesh me një ndjesi vashërie. Nëse në fytyrë janë sytë me shikim të egër, ata prapë janë sy trimi. Ata janë fisnikë, të cilët i prijnë popullit. Ai vritet pse i do për shkak të flijimit për ide dhe kryqin e respektuar dhe për lirinë e artë. Kalorësit mesjetarë të provuar e të regjur në luftë dhe në përdorimin e armëve ata me një të goditur presin nga njëzet koka njerëzish, i ngulin nga dy e dy në shtiza dhe i hedhin përmbi vete në Sitnicë[10], po megjithatë nuk janë prodhim i trillimeve të kohëve të lashta, e as i mitologjisë kur është fjala për epin e Kosovës. Në betejë s’ka pasur arapë me tri koka, e as vojvodë siç është Ballaçkoja. Të gjithë atje janë të vdekshëm, njerëz të natyrshëm me një trimëri të jashtëzakonshme. Mirëpo ajo që është absolutisht e pandryshueshme – të gjithë janë ekskluzivisht të bukur[11].

Pastaj me rastin e nisjes në solemnitetin e vet të varrimit ata janë të veshur me mëndafsh e kadife, me salltafere lara-lara, me pendla palloi, me tufa puplash në përkrenare. Në ndonjë këngë lahutari i rendit saktësisht si kanë qenë të veshur: “Ishte veshur një kalorës serb”. Sepse perandoria kishte qenë e pasur dhe ai i dërguari grek me vështirësi shikonte qysh në kohën e kral Milutinit prej shkëlqimit të gurëve të çmueshëm në teshat e tij.

Prandaj Tempulli i Kosovës i Meshtroviçit nuk mundet të jetë asnjëherë edhe tempull i popullit[12]. Mjeshtri i madh mund të mbetet i madh në guximin e ideve të tij, në paraqitjen e tërë personalitetit me një shikim ose në forcën e shpatullave. Ta lëmë Krali Markon, i cili as sipas poezisë popullore, as sipas shënimeve historike nuk është trim i Kosovës. Sado të jetë paraqitur me karakteristika të veçanta me atë pjesë të ballit midis vetullave te Meshtroviçi, ai nuk mund të futet në tempullin e trimave të Kosovës.

Po edhe Vajza e Kosovës e Meshtroviçit, as nëna e Jugoviçve nuk janë për një tempull kombëtar, të cilit duhet t’i vijnë brezat t’i falen. Ai amanet kolosal nuk mundet ta kapërcejë me trillim legjendën e krijuar më dhe personazhet e ndërtuara në imagjinatën popullore. Tragjedia e Meshtroviçit është në kuptimin e kristalizuar te masat për imazhet e trimave të Kosovës. Nëse idetë e tij janë gjeniale, ato mund të mbeten në muzeun e Beligradit për njerëzit me arsim më të lartë artistik. Dhe i tërë tempulli, pikërisht me propozimin që ka rënë, mund të ndërtohet atje në mënyrë që artistët e huaj dhe njerëzit me një kulturë të lartë t’i fitojnë njohuritë fillestare për “një gjeni të rrallë” (ç’është e vërteta pa përkrahës), kurse për Kosovën neve na duhet një tempull kombëtar, i ngritur me bashkëpunimin e të gjithë artistëve tanë në frymën e atij tempulli, të cilin e dha D. J. Filipoviçi. Mund të thuhet se ai me më shumë instinkt e ka kuptuar epin e Kosovës. Përshtypjet që i lanë vjershat e tij në gjeneratën tonë, bie fjala, ja kur është fjala për një tempull të popullarizuar dhe për brezin i cili veten e quan, e fundja edhe me të drejtë, si hallkë në zinxhirin, që me kalorësi e shënon historinë tonë.

Te Filipoviçi pikturimi më i fortë është nisja për Kosovë[13] dhe pas mbarimit të betejës. Këto imazhe të shqetësojnë dhe nuk harrohen. Vetë beteja tash e tutje duhet të përpunohet ndonëse copa-copa mund ta gjesh aty-këtu. Mirëpo për shkak se nuk ndahet nga baza e supozimit popullor siç nuk ndahet as filmi gjerman prej botëkuptimit nybelungas të Sigridit, ne të gjithë ata trima të tij i marrim si të kishin qenë tonët me një shqetësim që nënkuptohet. Edhe pse “Lulkuqet e Kosovës” janë aq të njohura, kurse “Sërgja Zlopoglegja” më së shumti në tërë tufën, megjithatë do ta citojmë për shkak të krahasimit me Sërgjën e Meshtroviçit.

E kish gzofin t’arushës s’malit

E ka qitun o krahëve si lisa.

Damari i ballit si bolla n’shkamb.

Dy musteqet si harqe shigjete.

Krrakat sorra n’kapuçin lkurë uki.

 

Kali i djalit sikur mali i zi,

Me nji thundër o ma then shkrepin.

Flakë i del o atit prej hojzash.

Lkur e risit po bret përfundi.

Për ballsori calikun me ven-e.

 

Ushton qielli… mjegulla poshtë po bredh.

Tutë e djegë kur trimi këqyr përtej

Atëherë thehen-o degët e pishës,

Bien poshtë e nihet piskama.

Ikin bishat në majat me bor-e

Posht në hon binë gurt e malit.

 

Toka qan e trimi rri heshtun;

Mas tij del o çeta e t’pashpive.

S’nihet kanga e nuk ka kushtrim-e

Dridhen male e dridhen shtigje

Si terr vorri a nxi vetlla e trimit

– N’luftë po shkon Sërgja Zlopoglegja…

 

Cilin nga këta dy Sërgja do ta kishit vendosur në Tempullin e Kosovës?

Kështu sipas Filipoviçit duket Boshko Jugoviçi, kur niset nga Krushevci:

 

Ç’u dridh toka nër kamë t’kalit

Kur u hodh-o arma e randë

Si sorkadhja maje shkambi

Flamur i mbretit u valëvit

Nër ta Boshkoja ra si trimat.

 

Ç’u lëvarën puplat e palloit

Në kallpakun e ushtarit t’bardhë

Si dritë agu mbi majat e pishës

Trimi i fortë u çu forcë;

 

Nër mëndafsh tokat farfulluen

Me dritë t’diellit mbi retë e vrugta

Sytë mavi këqyrën me llahtar.

U shtem bota para bukurisë s’Zotit.

N’sulm u nisën ushtarët me famë.

 

Kur Rela Krilatica niset për Kosovë “malit ushtojnë kangë kushtrimi… ndërsa sokolat e malit nalt ç’na bajnë roje”.

 

E rimtë dollama e n’ta me veset lulet

Ç’janë qëndisun, nëpër mal t’zi shkëlzen,

Tufa e luleve n’tytë t’pushkës sërmalije

Që përqafun ka krahë e mburoja.

Kurse Milan Toplica i tëri është i bërë nga kënga popullore:

 

Krahëve e ka gunën krejt me lara,

Kapuç mëndafshi, me pupla stolisun.

Përreth fyti komca e artë i shëndrit,

Myllin mlue e ka me inxhi.

 

Shumë interesant është portreti i Ivanit, i cili i bërë tebdil shkon ndër turq të zbulojë planet e tyre:

 

Mustaku hapërdam, flokët mjegull

Tmerr lëshon si era prej mali

Vetllat i ka si terr i malit t’shkretë

Para synit copë-copë i bahet guri

Mjeglla e zezë rreth atij po m’sillet

 

Selam jep e me ushtri flutron.

Tuj brit ikin prej tij dervishlerët

N’tokë u bien çallmat e binishët

sikur n’erë fjolla-fjolla bora

Ç’bumllon fushës: “trimat me shkue para”

N’emën t’mbretit tonë hirplotë”…

 

Ju do të më falni për gjithë këto citate. Mirëpo vështirë është midis gjithë atyre imazheve të bukura ta përqëndrosh shikimin vetëm te njëri. Mos t’i shohish, për shembull, Jugoviçët kur nisen në betejë:

 

Ç’u lëvarën o dhetë pupla t’bardha,

Po dhetë shtiza t’randa patërshana

Ç’u lëshuen kur dul Jug Bogdani,

Vdeka n’fushë me mjegull qi ka ra;

N’gjak u mbushën Llapi e Sitnica.

 

Ose imazhin tronditës të vëllezërve të vdekur dhe të babait të vdekur në fushë të luftës së Kosovës:

 

Për tokë ranë nandë zambakë të premë

Janë nandë vllazën, nandë djem t’mirë…

Jugu vdekun midisi shpresave t’vrame

Ja mlon gjoksin o mjekrra e bardhë

sikur bora kur bje n’degë të pishës

Ende plaku me vdekën s’pajtohet

– baba i vdekun ç’i mbron fmijt e vdekun

 

Edhe kur ka ndërruar jetë Sërgja e ka ruajtur tërë llahtarin e trimërisë:

 

Si mal i shemun ratë ka mbetun trimi,

N’gjoks mustaqet varrët po m’ia mshefin.

Gishtat t’nximë tokën ç’po ma grryejnë.

Prej sysh i derdhet errsina e madhe…

 

Turqt e vdekun dridhen përreth trimit.

Dorë e majt topuzin e randë ka kapë.

Shpata me gjak me mllef lufte djeg.

Uki i tremun fushës s’gjanë merr ikën.

 

Ai plot helm… i ra mbretnisë megjja…

Tri herë vdekën trimi ç’ma përze

Si vigan me rrufe t’Zotit n’gjak i mbetun

– Vdekun bie Sërgja Zlopoglegja.

 

Krejtësisht përshtypje tjetër, të kundërt, jep imazhi i rinisë së fikur te kënga “Nenadi i Ri”:

 

I ri asht si agu me tufë kumaki.

Nër kallpak me pendë gjeraqine.

Fle… Goja sikur e puth nanën

Ose zamaren e shkretë të fëmijës,

Qafën t’bardhë porsi qafë e vashës…

Ç’i rrjedh gjaku si lott e jetimes,

Trandafil i çel te zemra nër mëndafsh.

Syni i shkruem i këqyr larg tutje.

Ka ra mramja… dielli kadal tretet.

Bleta buzën si hojet ia ledh[14].

 

Pa marrë parasysh snobizmin ka njerëz të cilët me të vërtetë mendojnë sinqerisht se vepra e Meshtroviçit është me vlerë mbarënjerëzore dhe si e tillë hyn në bashkësinë e madhe të mendimit njerëzor. Kurse poezia e Filipoviçit ndaj saj është një nuancë midis poezisë popullore dhe asaj artistike, e duke pasur parasysh këndimin e një momenti në historinë e popullit tonë mund të mbetet regjionale dhe pa ndonjë gjerësi të vlerës universale. Qëllimi ynë nuk është t’i rrëzojmë bindjet e huaja, as ta ngremë njërin që ta hedhim poshtë tjetrin. Prodhimet e shpirtit njerëzor i klasifikojnë brezat, kështu që bashkëkohanikët janë tepër të vegjël që të japin ndonjë kontribut më të madh në këtë punë në kuptimin pozitiv ose negativ të fjalës.

Dëshira jonë është që të tregojmë se Tempulli i Kosovës i Filipoviçit është shumë më afër botëkuptimit të popullit. Prandaj ai është themel në të cilin të gjithë artistët tonë duhet ta ngrenë ndërtesën kombëtare për mirënjohje për trimat, të cilët përgjithmonë kanë qenë krenari dhe nxitje për vepra të mëdha[15].

1925

 

[1]Politika serbe, atëherë e sot, mbështetet në gjakderdhje e dhunë dhe flet për hakmarrje kundër shqiptarëve, por nuk shpjegon se çfarë faji kanë shqiptarët që kanë jetuar me mileniume në këtë vend ku i ka caktuar Perëndia të jetojnë.

 

[3]Me kësi yryshi vazhdojnë politika serbe dhe gënjeshtrat propagandistike antishqiptare të fashizmit serb

[4]Fjalën e ka për shqiptarët të cilët i ndiqte dhe i dëbonte ushtria e policia serbe nga Toplica dhe nga viset tjera të Serbisë së sotme politike nga terrori serb, i cili bënte pastrimin etnik të hapësirave nga Velika e Malla Pllana, nga Nishi, Piroti, Lebanja, Gërdelica, Sanxhaku, Leskovci etj.

[5]Të gjitha burimet thonë se në vitet 12 e 13 të shekullit të kaluar kur serbët e ndihmuar nga Rusia e pushtuan Kosovën dhe Maqedoninë, në këto anë ka pasur fare, fare pak serbë.

[6] Ironi e tallje

[7]Mitet e rrejshme serbe. Vështirë është që t’i ketë thënë diçka të tillë Mirash Ivanaj  Godenit. Kjo do të jetë një gënjeshtër e M. Jeliçit

[8]Mbretëria qiellore, edhe një shpikje e propagandës serbe për t’i manipuluar turmat

[9]Edhe poezia popullore serbe duhet studiuar mirë se mund të jetë e bërë me porosi të aparatit propagandistik

[10]Çfarë trimash qesharakë që kokën e armikut e tallin duke e ngulur në shtiza e duke e mbajtur si trofe. Trima shqiptarë kanë respekt për armikun e vrarë. Ka dallim, pra.

[11]Sa qesharak ky romantizëm!

[12]Meshtroviçi ka qenë skulptor i njohur kroat, prandaj rezistenca e nacionalizmit serb ndaj tij është e theksuar. Prandaj edhe Jeliçi nuk e pëlqen, ndonëse Meshtroviçi është skulptori më i madh i asaj kohe.

[13]Domethënë se serbët janë nisur prej dikah, prej një vendi tjetër dhe kanë ardhur në Kosovë që të ndeshen me turqit. Pra nuk janë njerëz të vendit të cilët çohen t’i mbrojnë vatrat e tyre, po vijnë prej një vendi të huaj.

[14]Studiuesit e folklorit tone duhet t’i hyjnë studimit të këtij folklori i cili është i ngarkuar me porosi propagandistike antishqiptare

[15]Një program nacionalist i cili ka për qëllim mobilizimin e potencialit krijues serb të kohës rreth ideologjisë serbomadhe.

LEXO PJESËN PARAPRAKE: “MOR KUMAK ME GJASHTË PETALE”

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button