Mbaroi protesta e dhjetë antievropiane, nesër do të protestohet kur Von der Leyen do jetë në Kuvend

Sot me fillim nga ora 19  filloi protesta kudër propozimit francez për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Me flamuj, parulla dhe britma protestuesit marshuan nga Qeveria, sheshi Skënderbeu, Ministria e Jashtme e deri te Kuvendi. Nesër do të protestohet në mesditë kur në Kuvend do diskutohet propozimi francez dhe kur presidentja e Komisionit Evropian do mbajë fjalim, transmeton Portalb.mk.

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski  sonte deklaroi se ajo që do të ndodhë këto dy ditë brenda Kuvendit është një farsë e thjeshtë sepse mjaftojnë vetëm 41 vota për të ashtuquajturën konkluzion ose atë fletë letre që do të miratohet.

“Nuk e di se çfarë të them tjetër përveç se ata duhet të thonë JO në momentin e fundit. Unë mendoj se ka të paktën disa maqedonas në to dhe nëse po, atëherë ata do të thonë JO. Sepse, po e përsëris edhe një herë, ajo që ofrohet nuk është fillimi i negociatave për Maqedoninë. Për të filluar negociatat është e nevojshme ndryshimi i Kushtetutës dhe ne si VMRO-DPMNE e kemi thënë qartë dhe me zë të lartë se Kushtetuta nuk do të ndryshohet”, tha Mickoski.

I pyetur nga gazetarët se çfarë do t’i thoshte presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ai tha se përgjigjja e tij do të ishte se kjo është Maqedonia, ky është populli maqedonas, me traditën e vet, i cili ka luftuar për të vetën, një vend me shekuj, i cili ka kulturën e vet që ekziston me shekuj, i cili flet gjuhën maqedonase dhe është krenar për të.

This slideshow requires JavaScript.

Protesta e radhës, nga ana tjetër, është caktuar për nesër në mesditë, kur Kuvendi i Maqedonisë do të diskutojë për propozimin francez, ndërsa para deputetëve është paraparë të ketë fjalim edhe kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se se do të merren të gjitha masat për sigurinë e deputetëve dhe legjislativit për seancën e nesërme ku do të diskutohet propozimi francez.

Ministri Oliver Spasovski tha se ministria është duke bërë analizat e nevojshme, duke mbledhur të dhëna dhe informacione të nevojshme për zhvillimet e mundshme që do të ndodhin gjatë mbajtjes së seancës.

MPB apeloi qytetarët që të mos lejojnë të tërhiqen në skenarët dhe incidentet e dhunshme të askujt, sepse siç paralajmërojnë do të merren masat më rigoroze dhe nuk do të tolerohet prishja e qetësisë dhe sigurisë.

Propozimi francez nesër do të jetë para deputetëve në Kuvend, ndërsa seanca u caktua pasi Qeveria dërgoi në Kuvend disa nga dokumentet lidhur me propozimin. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, për të njëjtën ditë, gjysmë ore para fillimit të kësaj seance, caktoi edhe një tjetër, në të cilën do të flasë kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button