fbpx

Mos mendoni në fillim të negociatave, por në fund kur do të keni të njëjtat të drejta në BE si Bullgaria, thotë ambasadori holandez Jan Kop

Ambasadori holandez Jan Kop thotë se vendi duhet të jetë më i interesuar për përfundimin e negociatave sesa fillimin, sepse kur të plotësojmë kushtet për anëtarësim në BE, do të kemi të njëjtat të drejta si Bullgaria. Ai po ashtu tha se politika e BE-së është që çështjet dypalëshe të zgjidhen mes vetë vendeve dhe nuk ka vend për to në procesin e negociatave, andaj Komisioni Evropian do ta ndjekë atë, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.

“Politika e Unionit është që çështjet dypalëshe të zgjidhen mes vetë vendeve dhe nuk ka vend për to në procesin e negociatave. Ne do ta ndjekim dhe Komisioni tha se do ta ndjekë. Pra, nëse mund të arrijmë një lloj kompromisi tani mes jush dhe Bullgarisë, kjo hap derën, dhe të jem i sinqertë, unë jam shumë më i interesuar për fundin e negociatave sesa fillimin, sepse vetëm fundi i negociatave, kur ju plotësoni kushtet për anëtarësim do t’ju bëjnë anëtar të familjes, me të njëjtat të drejta si Bullgaria. Në teori, a mundet një vend ta bllokojë këtë proces deri në fund – po. Çdo kapitull i ri është një vendim i ri politik, i cili kërkon konsensusin e të gjitha shteteve anëtare”, tha ambasadori holandez Kopp, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas promovimit të fushatës “Ne jemi me ju – së bashku kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave”.

Ai thotë se Maqedonia e Veriut mund të përparojë shumë shpejt në negociatat me BE-në dhe pret që disa kapituj të mbyllen menjëherë, shumë më shpejt se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Vetëm një shembull. Kur negociatat të vijnë te kapitulli i tarifave dhe doganave, vendi do t’i kalojë ato pothuajse menjëherë. Më shpejt se sa pritej dhe ka shumë fusha në negociatat me BE-në ku Maqedonia e Veriut është studentja më e mirë, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe kjo duhet të jetë burim optimizmi, dhe jo Bullgaria”, tha Kop.

Ambasadori thotë gjithashtu se është bërë praktikë në BE të bëhen kompromise të shëmtuara, nga të cilat askush nuk kënaqet.

“Në fund të fundit, vetëm Maqedonia e Veriut mund të jetë zot i fatit të saj. Ky është kryesisht një vendim kombëtar i Maqedonisë dhe e vetmja gjë që mund të them është mirëseardhje në Evropë, sepse në axhendën e BE-së dhe të gjitha çështjet e rëndësishme, si Brexit, buxheti, ndryshimet klimatike, refugjatët dhe zgjerimi, ne gjithmonë krijojmë të kompromise të shëmtuara. Në fund, askush nuk është i lumtur, por çdo kompromis i mirë është një ekuilibër i kënaqësisë nga të dyja palët”, tha Kop.

Propozimi francez nesër do të jetë para deputetëve në Kuvend, ndërsa seanca u caktua pasi Qeveria dërgoi në Kuvend disa nga dokumentet lidhur me propozimin. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, për të njëjtën ditë, gjysmë ore para fillimit të kësaj seance, caktoi edhe një tjetër, në të cilën do të flasë kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button