Unioni i Intelektualëve: Tirana të hapë Konsullatë në Manastir

Unioni i Intelektualëve Shqiptarë në Maqedoni kërkon që Republika e Shqipërisë të hap Zyrën e Konsullit Shqiptar në Manastir.

“UISHM pas një sërë konsultimesh dhe diskutimesh me intelektualë të vendit dhe të trojeve të tjera etnike ose edhe nga mërgata jonë, ka vendosur që Republikës së Shqipërisë, respektivisht Presidentit dhe Kryeministrit të saj, t’u propozojë të angazhohen për hapjen e zyrës së Konsullit Shqiptar në Manastir. Duke ditur peshën historike që ka Manastiri, si qytet ku lindi alfabeti i gjuhës shqipe, por edhe faktin se shtëpia muze e alfabetit është në gjendje jo fort të mirë, propozojmë që shteti shqiptar ta pronësojë këtë shtëpi, që ajo të shërbejë edhe Muze i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, por edhe si seli e Konsullit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në apelin publik të UISHM të nënshkruar nga kryetari, prof.dr. Avzi Mustafa.

Ata vlerësojnë se në këtë mënyrë do të mundësohej jo vetëm ruajtja e këtij objekti nga sulmet e shpeshta që janë bërë mbi të, të nxitura nga paragjykime të ndryshme etnike e religjioze, por kështu do të krijohej hapësirë që Manastirit t’i ruhet sado pak epiteti i qytetit të dikurshëm shqiptar, në të cilin u ndërtua një pjesë kaq e rëndësishme e kombit tonë.

Intelektualët shqiptarë,  mbeten me shpresë se institucionet më të larta të shtetit shqiptar do ta marrin në konsideratë këtë propozim dhe do të veprojnë konform marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore mes dy vendeve, por edhe në të mirë të ruajtjes dhe kultivimit të identitetit shqiptar në Republikën e Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button