Osmani – Dendias: Kërkimi i të riut të zhdukur vazhdon edhe nesër

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me homologun e tij grek, Nikos Dendias, gjatë së cilës është diskutuar për situatën e kërkimit të të riut të zhdukur nga vendi. Nga MPJ njoftojnë se pavarësisht skadimit të afatit të rregullt, kërkimi i të riut të zhdukur vazhdon edhe nesër, transmeton Portalb.mk.

Siç njoftojnë nga MPJ, Osmani kërkoi vazhdimin e kërkimeve pavarësisht kalimit të afatit të rregullt, për të cilin u informua nga kolegu se së shpejti do të sillet vendim për vazhdimin e kërkimit për të zhdukurin.

“Gjatë bisedës, Osmani falënderoi përpjekjet dhe sakrificat e Shërbimit Bregdetar të Greqisë, Forcave Ajrore dhe popullatës lokale të përfshirë në kërkim.

Biseda pasoi pas dërgimit zyrtar të Notës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë me lutje për vazhdimin e kërkimit edhe pse sot ka kaluar afati për organizimin e kërkimeve të tilla”, njoftuan nga MPJ.

Ndryshe, 30-vjeçari Ivan, i cili u shpëtua nga thellësitë e detit Egje pranë Halkidikit falë topit të humbur të një fëmije, ndihet mirë sot dhe ka dalë nga spitali Papanikolaou në Selanik, ku ishte shtruar në spital që nga mesdita e së dielës.

Shërbimet greke janë në kërkim të 31-vjeçarit Martin Jovanovski për të katërtën ditë. Sot, duke qenë se kushtet e motit e lejojnë, në kërkim përdoret edhe një dron nënujor i shërbimit të shpëtimit vullnetar OFKAT.

“Operacioni vazhdon me dronin nënujor të OFKAT-it në vendin që na tregoi Ivani. Ne skanuam një zonë të madhe, por nuk gjetëm asnjë gjurmë dhe arsyeja është se rrymat e poshtme janë shumë të forta. Hetimi i OFKAT-it tani po hapet pak më shumë”, tha presidenti i OFKAT-it, Christos Ramos për “Newsit” grek.

Sipas të afërmve të tij, Martin shkoi në Halkidiki me një grup prej dhjetë personash me pushime dhe për të festuar ditëlindjen e 30-vjeçarit Ivan.

Familjarët apelojnë që të gjithë të mos ndalojnë kërkimet. Sipas mediave greke, ata janë të mërzitur pasi janë informuar se sipas kuadrit ligjor aktual në Greqi, roja bregdetare pushon kërkimet për personat e zhdukur pas 72 orësh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button