Për incidentet gjatë protestave në Shkup janë ngritur 12 akuza

Tre persona nga gjithsej 12 kundër të cilëve Prokuroria Themelore Publike në Shkup sot ka ngritur aktakuzë për incidentet gjatë protestave në Shkup, ndiqen penalisht për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm në pajtim me nenin 288 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të këtij ligji nga Kodi Penal. Nëntë të tjerët pas procedurës paraprake janë akuzuar për veprën penale Pjesëmarrje në turmë që do të kryejnë vepër penale nga neni 385 paragrafi 1 i Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

Të akuzuarit, siç njoftojnë nga Prokuroria Publike, gjatë tubimeve publike të qytetarëve, më 5 dhe 6 korrik, kanë marrë pjesë në turmën që ka kryer vepër penale – dhunë para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Ata hodhën gurë, pllaka bekatoni, sende hekuri, shenja trafiku, kosha plehrash dhe mjete piroteknike ndaj policëve të vendosur në kordonin e policisë për të mbrojtur ndërtesën e Kuvendit. Duke vepruar kështu një polic është lënduar rëndë, ndërsa lëndime trupore kanë pësuar 26 policë. Të pandehurit i kanë shkaktuar dëm Kuvendit në vlerë të përgjithshme prej 576.665 denarë, kanë dëmtuar pajisje policore dhe një veturë policore Shkoda Jeti”, thuhet në njoftim.

Në mesin e të pandehurve janë edhe dy persona nga Shkupi, të moshës 18 dhe 26 vjeçare, të cilët me një veprim të përgjithshëm të rrezikshëm kanë shkaktuar rrezik të konsiderueshëm për jetën dhe e njerëzve në vendin ku ishin grumbulluar një numër i madh i personave.

“Një i pandehur ka përgatitur një koktej molotovi, duke vendosur benzinë ​​dhe një copë leckë në një shishe qelqi dhe më pas ia ka dorëzuar të pandehurit tjetër, i cili e ka hedhur në kordonin e ngritur nga punonjësit e policisë”, sqaron Prokuroria.

Gjithashtu, për shkak të rrezikut publik ndiqet një 40-vjeçar nga Shkupi, i cili më 6 korrik përballë sheshit Skënderbeu, me një pistoletë të markës Walter model R 99 me kalibër 9×19 mm, të cilën e kishte me leje, duke shkaktuar jë rrezik të konsiderueshëm për jetën e njerëzve.

Në dy raste ka qëlluar me dy plumba në ajër gjatë lëvizjes së grupit të qytetarëve që kanë marrë pjesë në turmë.

Sipas vendimit të mëparshëm të gjykatës, shtatë nga të pandehurit janë dënuar me arrest shtëpiak, ndërsa për pesë persona është caktuar masa e paraburgimit.

“Për të siguruar praninë e të akuzuarve gjatë procedurës, prokurorët publikë kompetentë sot i kanë dorëzuar gjykatës propozime për vazhdimin e masave të përcaktuara në këtë mënyrë ”, njoftoi Prokuroria Publike.

Kujtojmë se pasditen e 5 korrikut është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas kundër propozimit francez, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.

Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri. Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button