Komuna e Tetovës akuzon MPB-në për mosdhënie të lejes për realizimin e shëtitores për mërgimtarët (VIDEO)

Komuna e Tetovës për këtë verë kishte planifikuar krijimin e “Shëtitores së Diasporës” e cila ishte paraparë në Bulevardin “Iliria”, për të cilën Sektori për Veprimtari Komunale kishte hartuar një projekt bazë të trafikut për kufizimin dhe ndalimin e lëvizjes së automjeteve në orët e mbrëmjes duke filluar nga data 01.7.2022 deri më 31.08.2022, dhe të njëjtin e ka dërguar në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë (SPB). Nga kjo e fundit nuk kanë dhënë pëlqim për një gjë të tillë duke u bazuar në Kodin Civil, shkruan Portalb.mk.

Komuna e Tetovës akuzon MPB-në dhe SPB Tetovë pasi nuk lejon realizimin e këtij aktiviteti i cili është në kompetence të pushtetit lokal.

Besar Durmishi, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Besar Durmishi, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Jemi dëshmitarë se gjatë viteve të kaluara, ka qenë traditë që gjatë verës jo vetëm ky bulevard, por janë mbyllur edhe rrugë të tjera duke bllokuar edhe lagje të tëra dhe asnjëherë nuk i ka penguar MPB-së. Kjo nuk ka tjetër se si të shpjegohet përveçse një vazhdimësi e vendimeve me prapavijë politike kundër komunës së Tetovës dhe tetovarëve, që për fat të keq, këtë radhë shënjestër janë edhe mërgimtarët. Plani për ndryshimin e regjimit të komunikacionit në këtë aks rrugor është përgatitur në projekt dhe i është dërguar SPB-Tetovë në përputhje me nenin 155 dhe 156 të Ligjit për Siguri në komunikacion”, tha Besar Durmishi nga Komuna e Tetovës.

Ai shtoi se pas gjithë konsultimeve paraprake dhe miratimeve verbale nga ana e përfaqësuesve të MPB-së si dhe detyrimeve ligjore, përgjigja është negative dhe e pamundëson realizimin e këtij aktiviteti.

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se nuk pajtohen që të miratojnë këtë kërkesë në lidhje me kërkesën e lartpërmendur për ndryshimin e regjimit të komunikacionit nga ora 20:00 deri në ora 01:00,

“Sipas nenit 347 paragrafi 1 i Kodit Civil, objektet e destinuara për qarkullim (rrugë, lagje, rrugica etj.) nuk lejohet të konvertohen dhe të përdoren për nevoja të tjera.Një nga arsyet kryesore është se kjo rrugë është një nga arteritet kryesore të qytetit e cila kryqëzohet me tre bulevardet tjera, çdo bllokim i këtij bulevardi do shkaktonte kaos më të madh në trafik. Qëllimi është të mundësohet qarkullim më i lirshëm jo të bllokohet trafiku”, tha Fatmir Rexhepi nga SPB Tetovë.

Rikujtojmë se në Tetovë gjatë viteve paraprake kur është organizuar Vera e Kulturës Tetovare janë bllokuar rrugë anësore dhe jo bulevardet kryesore.

Ndryshe, me ardhjen e mërgimtarëve në Tetovë, kaosi ekzistues në trafik rëndohet edhe më shumë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button