Bisedë Osmani – Lipavski: Republika Çeke është gati për fillim të menjëhershëm të negociatave pas miratimit të propozimit evropian

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot ka zhvilluar bisedë telefonike me Ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavski, me ç’rast ka shprehur mbështetjen e tij për progresin e shtetit në procesin integrues. Osmani e siguroi bashkëbiseduesin se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është interesi kryesor shtetëror dhe prioritet primar i politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për nevojën e realizimit të shpejtë dhe dinamik të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të garantuar stabilitet, qëndrueshmëri dhe zhvillim të rajonit të Ballkanit Perëndimor në kontekstin aktual të pasigurt gjeopolitik.

Në këtë drejtim, Ministri Lipavski theksoi gatishmërinë për organizimin e shpejtë të Konferencës së parë Ndërqeveritare, pasi Maqedonia e Veriut të miratojë propozimin evropian.

Dy bashkëbiseduesit përsëritën aspektet kyçe të propozimit të kompromisit, i cili e çon vendin më afër Bashkimit Evropian, duke marrë parasysh interesat tona në drejtim të formulimit të pastër të gjuhës maqedonase; mungesën e çështjeve historike në kornizën negociuese dhe fillimin e menjëhershëm të negociatave për anëtarësim.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button