RMV, përfundoi qetë protesta e sotme kundër propozimit francez

Përfundoi protesta e cila sontem për të tetën herë me radhë, qytetarët kërkuan refuzim të propozimit francez për zhbllokim të fillimit të negociatave inkuadruese të vendit me Bashkimin Evropian, njofton Portalb.

Me transparenta “Ultimatum, jo faleminderit” dhe “Megjithatë, ne do të fitojmë”, qytetarët u nisën nga Qeveria deri te Ministria e Drejtësisë dhe u ndalën para Kuvendit, duke brohoritur “dorëheqje”. U dërguan mesazhe për bashkim kombëtar dhe për dalje masive në protesta.

Midis qytetarëve kishte edhe anëtarë të opozitare VMRO-DPMNE dhe Të Majtës, të cilët publikisht i mbështesin protestat.

Marshi protestues sot u zhvillua qetë, ndërsa për nesër është paralajmëruar protestë e re në orën 19.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas takimit të mbajtur me partnerët e koalicionit, në formë integrale në ueb-faqen e saj e ka publikuar propozimin nga presidenca franceze për tejkalimin e çështjeve mes RMV-së dhe Bullgarisë, me qëllim që t’i hapet rrugë fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, këtë propozim e ka vlerësuar si më të favorshëm se sa parapraku, të cilin e refuzoi në Bruksel.

Kujtojmë se pasditen e 5 korrikut është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas kundër propozimit francez, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.

Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri. Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

Ndryshe, së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button