MPJ: Sërish u shfaqën informacione të pasakta për përmbajtjen e Protokollit që të prishen konsultimet për propozimin francez
Ministria e Punëve të Jashtme kumtoi se në opinion sërish u shfaqën informacione të pasakta për përmbajtjen e Protokollit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, i cili duhet të jetë procesverbal i Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar që del nga Marrëveshja për miqësi dhe fqinjësi të mirë nga viti 2017, njofton Portalb.
“Në opinion është publikuar një tekst në gjuhën bullgare, i cili përfaqëson një version të vjetër dhe jo i plotë, si pjesë e setit të ideve të shumta të cilat në periudhën e kaluar janë shkëmbyer mes dy ministrive të punëve të jashtme. Në këtë moment të ndjeshëm, konsiderojmë se publikimi i këtyre informacioneve të pasaktë paraqet tentim tendencioz dhe ka për qëllim për të prishur procesin e konsultimeve të gjera për propozimin francez për heqjen e vetos dhe vazhdimin e integrimit evropian të vendit, i cili aktualisht është në fazën përfundimtare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në kumtesën nga MPJ-ja.
Nga Ministria theksojnë se “përmbajtja e Protokollit eventual ndërmjet dy vendeve, si procesverbal i seancës së ardhshme të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar, do të harmonizohet përfundimisht në vetë seancën e këtij Komisioni”.
Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.
Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.
Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria. Sofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.
Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.
- LEXO: Uluni në tryezën e negociatave me BE-në, do të keni më shumë fonde dhe mekanizma, paralajmëroi ambasadorja amerikane
- LEXO: Propozimi francez nuk do të jetë në rend dite në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut para të hënës
- LEXO: Komisioni Evropian: Vendimi për propozimin francez është vendim sovran i Maqedonisë së Veriut
- LEXO: Macroni RMV-së: Dinjiteti juaj nuk do të vihet kurrë në pikëpyetje, zgjedhja është e juaja
- LEXO: Kacarska: Mbajtja e një referendumi mbi propozimin francez do të ishte proces i mundimshëm dhe i gjatë
- LEXO: Opozita shqiptare e përkrahë propozimin francez, partitë e vogla maqedonase e kushtëzojnë mbështetjen
- LEXO: Mickoski në takim me Kovaçevskin: Refuzoje propozimin francez, do të heqë dorë nga zgjedhjet e parakohshme
- LEXO: Propozimi i ri francez është i pranueshëm për presidentin Stevo Pendarovski
- LEXO: Qeveria e publikoi propozimin e ri francez, Kovaçevski: Shumë më i favorshëm për ne