Me helikopter dhe anije kërkohet shtetasi i tretë i Maqedonisë i zhdukur në Greqi

Përfaqësitë tona Diplomatike-Konsullore në Greqi, herët në mëngjes morën konfirmimin se edhe sot vijojnë kërkimet me një aksion shpëtimi me kapacitet të plotë – helikopter dhe anije – si dy ditët paraprake pas zhdukjes së shtetasit tonë në vendin Posidi të Greqisë, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme, transmeton Portalb.mk.

Nga MPJ thonë se gjendja shëndetësore e dy shtetasve të cilët dje dhe pardje ishin nxjerrë nga deti është e mirë, ata gjenden në spital dhe pritet lirimi i shpejtë i tyre nga spitali.

“Përfaqësitë tona mbesin në kontakte intensive me institucionet kompetente të Greqisë dhe çdo informacion do të transmetohet në kohë. Dëshirojmë t’i falënderojmë Rojet Bregdetare Greke, Forcat Ajrore Greke dhe popullsinë/vullnetarët lokal të përfshirë në kërkim, për përpjekjet dhe sakrificat e tyre”, thonë nga MPJ.

Operacioni i shpëtim-kërkimit filloi të shtunën pasdite, kur tre shtetasit e Maqedonisë së Veriut, me rastin e ditëlindjes së njërit prej tre miqve shkuan në Halkidiki për të festuar dhe në një moment hynë në det për të notuar, duke injoruar erën e fortë dhe dallgët.

Disa prej të pranishmëve në plazh kanë vënë re se ata ishin larguar dhe kanë njoftuar menjëherë shërbimin bregdetar dhe më pas ka nisur aksioni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button