fbpx

ANALIZË: Qindra milionë euro borxhe të prapambetura trokasin në “derën e qeverisë” – po mendohet edhe për shlyerje të parakohshme!

Qeverisë këtë vit do t’i nevojiten 191 milionë euro për t’i shlyer detyrimet tashmë të prapambetura, për financimin e “vrimës së buxhetit” prej 693 milionë euro. Qeveria planifikon të marrë hua në tregun e brendshëm me obligacione shtetërore në një afat më të gjatë, por do të shqyrtohet edhe mundësia e shlyerjes së parakohshme të një pjese të detyrimeve të prapambetura. Është publikuar Strategjia e re Fiskale 2023- 2025 (me perspektivë deri në vitin 2027), shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Pas vitit të krizës 2022 – stabilizim nga viti 2023…

Emetim euro-obligacioneve në tregun financiar ndërkombëtar, tërheqja e kredive nga financierët e huaj, huamarrje për projekte konkrete, kredi nga kreditorët vendas. Sipas Strategjisë së re fiskale pas kësaj krize në vitin 2022, pritet një konsolidim i financave publike që në vitin e ardhshëm – do të ulet deficiti buxhetor, do të rritet rritja ekonomike, e ndjekur me rritje të investimeve dhe të punësimit.

Infografik 1

Parashikimet e qeverisë tregojnë se “vrima” në arkën e shtetit do të ulet kryesisht për shkak të racionalizimit të shpenzimeve dhe rritjes së të ardhurave.

“Me mbledhjen e pritshme të të ardhurave, do të sigurohet një zvogëlim gradual i deficitit total buxhetor nga 5,3% e PBB-së në vitin 2022 në 2,8% në vitin 2027. Edhe deficiti primar buxhetor do të ulet në mënyrë të vazhdueshme nga 4,0% e PBB-së në vitin 2022 për të arritur nivelin 1,3% në vitin 2027” – thuhet në dokumentin e ri të Ministrisë së Financave.

Huamarrje në tregun e brendshëm dhe të jashtëm…

Gjendja e borxhit të shtetit do të përmirësohet, do të merren kredi të reja, por borxhet e prapambetura do të trokasin në derë. Në vlerë absolute, huamarrjet do të rriten në vitet në vijim, por me një pjesë të madhe të tyre do të kthehen borxhet tashmë të prapambetura brenda dhe jashtë vendit, gjë që do të ndikojë në uljen e borxhit publik.

“Ministria e Financave do të vazhdojë të emetojë obligacione qeveritare me afat më të gjatë maturimi, gjë që do ta ulë rrezikun e rifinancimit të borxhit. Për të menaxhuar në mënyrë efikase borxhin publik, Ministria e Financave në periudhën afatmesme do ta monitorojë edhe mundësinë e shlyerjes së mundshme të parakohshme të një pjese të borxhit, gjegjësisht arritjes së një afati, strukture valutore dhe kamate të borxhit më të favorshme” – thuhet në Strategjinë Fiskale.

Të dhënat tregojnë se vitin e ardhshëm, në bazë të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, shteti duhet të kthejë një nga shumat më të larta – gati 800 milionë euro, nga të cilat gati 600 milionë euro për kreditorë jashtë vendit. Por, edhe viti 2025 do të jetë vit në të cilin duhet të shlyhen borxhe në vlerë më shumë se 800 milionë euro.

Infografik 2

Por, shuma më e madhe prej gati 1.2 miliardë eurosh duhet të shlyhet në vitin 2026.  Skenarët aktualë të parashikuar për rimëkëmbjen e ekonomisë, rritja e investimeve, frenimi i cunamit të çmimeve, janë ende në rrezik – gjithçka do të varet nga kohëzgjatja e luftës në Ukrainë.

“Skenari bazë makroekonomik shoqërohet me rreziqe, të cilat vlerësohen në rënie në raport me rritjen e parashikuar ekonomike. Rreziqet lidhen kryesisht me kohëzgjatjen dhe intensitetin ushtarak të konfliktit ruso-ukrainas dhe efektet e sanksioneve aktuale dhe të mundshme shtesë kundër Rusisë dhe anasjelltas, si dhe me rrjedhën e ardhshme të pandemisë për sa i përket shfaqjes së mundshme të varianteve të reja të virusit, faktorë që do të çonin në ndërprerje të reja të zinxhirëve të furnizimit global dhe kërkesës së jashtme, përkeqësim të besimit dhe pritshmërive të bizneseve dhe të konsumatorëve. Nisur nga pasiguria e çmimeve të produkteve primare në tregun ndërkombëtar, rreziqe të konsiderueshme ekzistojnë edhe në lidhje me inflacionin e brendshëm të parashikuar” – parashikon autoriteti fiskal.

Ky dokument është pjesë shoqëruese e Rebalancit të buxhetit i cili tashmë u është dërguar deputetëve për shqyrtim në seancë plenare në Kuvend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button