Shkupi nuk do të mbetet pa ngrohje dimrin që po vjen, pyetja është kush do ta jep shërbimin (Infografik)

Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit (KRrE) gjatë muajit të kaluar ia hoqi BEG-ut kompanisë për prodhim, shpërndarje dhe furnizim me energji termike, tre licencat e pas kësaj një pjesë e madhe e qytetarëve të Shkupit shtruan pyetjen se si do t’i ngrohin shtëpitë në sezonin e ardhshëm të ngrohjes, transmeton Portalb.mk.

KRrE, për Meta.mk, theksoi se heqja e licencave nuk do të thotë se kompania BEG do të ndërpresë përmbushjen e obligimeve ndaj konsumatorëve në Shkup.

“Praktikisht deri në përzgjedhjen e operatorit të ri të aktivitetit energjetik, BEG e ka për obligim të kryejë veprimtarinë publike për prodhim, shpërndarje dhe furnizim me energji termike”, sqarojnë nga KRrE.

Pas heqjes së licencave, Ligji për Energjetikë thotë se Qeveria e RMV-së do të duhet të shpallë thirrje publike për përzgjedhjen e një kompanie të re që do të ofrojë shërbimet për të cilat BEG ishte përgjegjës deri tani.

“Procedura e përzgjedhjes së operatorit të ri, për këtë aktivitet, duhet të përfundojë jo më vonë se 90 ditë pas heqjes së licencës së BEG-ut, pra jo më vonë se deri në fund të shtatorit 2022”, thonë nga Komisioni Rregullator.

Nëse thirrja publike është e pasuksesshme dhe nuk gjendet kompani e re që do të furnizojë energjinë termike, atëherë BEG do të duhet të vazhdojë ngrohjen me avull të amvisërive, kompanive dhe institucioneve në Shkup.

ESM mund të vazhdojë të ngrohë edhe këtë vit

Ndërkaq, në fund të janarit të këtij viti, Ndërmarrja Elektro-ekonomia e Maqedonisë së Veriut (ESM) përkohësisht e mori përsipër menaxhimin e prodhimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji termike nga BEG dhe SHA Shkup Veri. Kompania shtetërore mori mjete nga qeveria për këtë qëllim, duke u mundësuar banorëve të Shkupit të kenë ngrohje të vazhdueshme të shtëpive dhe vendeve të tyre të punës gjatë gjithë sezonit të ngrohjes.

Meta.mk pyeti SHA ESM nëse aktualisht janë të interesuar për të aplikuar në procedurën që duhet të shpallet së shpejti nga Qeveria e RMV-së dhe të ndërmerr obligimet nga BEG për ngrohjen qendrore në Shkup. Nga kompania shtetërore thonë se ende nuk kanë marrë vendim për këtë çështje.

Megjithatë, nëse procedura e ardhshme për zgjedhjen e prodhuesit dhe furnizuesit të ri të energjisë termike përfundon pa sukses, SHA ESM sqaron, për Meta.mk, se janë të gatshëm të vazhdojnë ngrohjen e banorëve të Shkupit në sezonin e ardhshëm të ngrohjes, i cili do të fillojë në tetor.

“SHA ESM ka kapacitet për të ofruar shërbime të ngrohjes në qytetin e Shkupit, gjë që u pa në sezonin e kaluar të ngrohjes, kur menaxhimi i krizës u ndërmor përmes prokurave nga SHA ESM drejt BEG dhe Shkupit Veri, me ngarkesën nga Qeverisë së RMV-së”, sqarojnë nga SHA ESM.

Qyteti i Shkupit nuk është i interesuar ta merr ngrohjen qendrore

Kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, përveç debateve me ministrin e ekonomisë Kreshnik Bekteshi, për momentin nuk ka interes për të marrë obligimin për ngrohjen e amvisërive dhe ndërmarrjeve në kryeqytet. Ndryshe, Qyteti i Shkupit mund të aplikojë për procedurën e ardhshme për përzgjedhjen e ekzekutuesit të ri të këtij aktiviteti, në vend të BEG.

“BEG është problem i Qeverisë. Ministri Bekteshi duhet të dijë kompetencat e tij dhe të zgjidhë problemet e qytetarëve”, ka shkruar Danela Arsovska në Facebook në mes të qershorit, duke shtuar se Qyteti i Shkupit nuk ka asnjë detyrim ligjor që t’ua mundësojë qytetarëve të Shkupit këtë shërbim.

Meta.mk të hënën dërgoi pyetje në Qytetin e  Shkupit, lidhur me këtë temë, për të marrë një përgjigje se çfarë planifikojnë autoritetet e qytetit të bëjnë që qytetarëve të Shkupit t’u mundësojnë ngrohje qendrore gjatë dimrit që po vjen. Si zakonisht, nga Qyteti i Shkupit përgjigje për pyetjet tona nuk morëm.

Për dallim nga udhëheqja e Danela Arsovskës, kryetari i mëparshëm Petre Shilegov themeloi kompaninë publike Sistemet Energjetike të Qytetit (SEQ) dhe u përpoq të merrte menaxhimin e rrjetit të ujit të ngrohtë në Shkup nga BEG. Më 30 korrik 2019, Qeveria e RMV-së ia dha në përdorim të përhershëm rrjetin e ujit të ngrohtë Qytetit të Shkupit, por kjo u pengua nga vendimi i Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit për të mos lëshuar licencë për Sistemet Energjetike të Qytetit.

Komisioni Rregullator tani thotë se vendimi për refuzimin e kërkesës së kryesisë së mëparshme të Qytetit të Shkupit për marrjen e rrjetit të ujit të ngrohtë është përfundimtar.

“Kundër aktvendimit për refuzim të kërkesës SHA SEQ Shkup inicioi kontest administrativ, por Gjykata Administrative me Aktgjykimin U-6 nr.652/2019 të datës 02.12.2020 e ka refuzuar padinë, që është vërtetuar me Aktgjykim të Gjykatës së Lartë Administrative UZH-2 nr.165/2021 e datës 03.06.2021”, informojnë nga KRrE.

Ata shtojnë se nuk kanë pranuar kërkesë të re nga qyteti, përkatësisht nga kompania e Shkupit SEQ, për dhënien e licencës për shpërndarjen e energjisë termike në kryeqytet. Nga SEQ, para se Danela Arsovska të vinte në postin e kryetares së komunës, sqaruan se menaxhimin e rrjetit të ujit të ngrohtë duhet ta marrë Qyteti i Shkupit, sepse deri në vitin 2014 qyteti me mjete të veta kishte ndërtuar rreth 15 kilometra të rrjetit shpërndarës.

Në Shkup po rritet numri i shfrytëzuesve të ngrohjes qendrore

Përveç problemit që do të lindte me furnizimin me energji elektrike në të gjithë vendin, ndërprerja eventuale e ngrohjes qendrore në Shkup do të shkaktonte probleme shtesë ekologjike me ndotjen e ajrit në kryeqytet, pasi që amvisëritë dhe kompanitë do të duhej të kalonin në ngrohen me energji elektrike, dru ose burime të tjera energjetike.

Ajo që është më e rëndësishme është se qytetarët do të humbin besimin në besueshmërinë e furnizimit me energji termike, gjë që i ka ndodhur vendit një herë në të kaluarën në Manastir. Për më shumë se një dekadë në Manastir ngrohja nuk funksionon dhe një pjesë e madhe e shfrytëzuesve në objektet e banimit kanë kaluar në shfrytëzimin e druve të zjarrit, qymyrit, peletave dhe energjisë elektrike, gjë që e ka rritur edhe më shumë ndotjen e ajrit.

Për dallim nga Manastiri, ku në rrjetin e shpërndarjes janë kyçur rreth 130 objekte banesore dhe afariste, në Shkup sot ka një numër shumë më të madh të shfrytëzuesve të ngrohjes qendrore.

Të dhënat nga raportet vjetore për punën e Komisionit Rregullator tregojnë se numri i konsumatorëve të energjisë termike po rritet nga viti në vit, ashtu që në fund të vitit 2021është arritur numër rekord prej 61.234 përdoruesve. Në këtë numër përfshihen amvisëritë, institucionet arsimore dhe subjektet e tjera që janë të lidhura me BEG, SHA Shkup Veri dhe ESM Energjetika.

Infografik nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga të dhënat statistikore, për periudhën nga viti 2016 e deri më sot, vërehet një rritje prej rreth 10.000 shfrytëzuesve të ngrohjes qendrore në Shkup. Për krahasim, në vitin 2016 ishin 51.313 përdorues të energjisë termike të prodhuar nga tre furnizuesit në kryeqytet.

SHA ESM, e cila përmes ESM Energjetika menaxhon me rrjetin e ujësjellësit në territorin e Komunës së Gazi Babës, tha për Meta.mk se përmes filialit të tyre planifikojnë zgjerimin e sistemit me kyçje të reja për ngrohje në lagjet Autokomandë, Hekuranë, Triangla, Maxhari dhe Hipodromi.

“Bëhet fjalë për kyçje të reja për 350 familje në Autokomandë, fuqizim rrjeti, kursime për amvisëri dhe mundësi për kyçje të reja në Hekuranë, si dhe për kyçje të ngrohjes me tre ndërtesave të reja në Gazi Babë. Vlera totale e parashikuar e investimit është 260.162 euro”, njoftojnë nga ESM për rritjen e numrit të shfrytëzuesve të ngrohjes qendrore në Shkup.

Çmimi i ngrohjes për dimrin e ardhshëm do të përcaktohet në vijim

Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit, për Meta.mk, thekson se ende janë duke i analizuar kërkesat e pranuara që do të duhet të tregojnë se sa do të jetë rritja e çmimit të ngrohjes në Shkup për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, Enti Rregullator paralajmëron se rritja e çmimit të ngrohjes do të jetë e pashmangshme.

“Çmimi i sotëm i gazit natyror në bursa është më shumë se dyfishuar krahasuar me janarin e vitit 2022”, sqaron KRrE.

Ndryshe, KRrE më 31 dhjetor të vitit të kaluar vendosi që faturat e ngrohjes për përdoruesit në Shkup të rrisë për 14 për qind. Me këtë rritje, për shkak të rritjes së madhe të çmimeve të gazit natyror në bursa dhe të energjisë elektrike në Evropë, faturat e qytetarëve në fillim të vitit u kthyen në nivelin e vitit 2018.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button