U gjet i gjallë njëri nga shtetasit e RMV-së në Halkidiki, kërkimet për të dytin vazhdojnë

Një nga shtetasit e RMV-së të zhdukur nga Halkidiki u gjet i gjallë dhe është në gjendje relativisht të mirë shëndetësore, konfirmojnë për mediat vendase burime nga shërbimi bregdetar i Greqisë, transmeton Tellma.

Bëhet fjalë për një shtetas 30-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, i cili pas më shumë se 18 orësh zhdukje u gjet nga një anije mallrash me flamur të Gjibraltarit që lundronte aty pranë në zonën detare në jugperëndim të Kasandrës.

Burri i zhdukur u gjet rreth 14 milje detare nga Halkidiki, i cili është rreth 20 kilometra larg.

Vazhdojnë aksionet dhe kërkimet e shërbimit të bregdetit grek, ekipit grek të shpëtimit dhe shpëtimtarëve vullnetarë për gjetjen e personit të dytë të zhdukur.

Kërkimet vazhdojnë edhe sot në kushte të këqija atmosferike me erëra të forta mbi 40 kilometra në orë dhe në aksion marrin pjesë anije të shërbimit bregdetar, varka dhe anije që ndodhen aty pranë dhe një helikopter.

Operacioni i shpëtimit ka nisur dje rreth orës 19:00 me orën lokale, pasi tre miqtë, në plazhin Mitti në Posidi, kanë hyrë në det, por me siguri janë tërhequr nga rrymat dhe dallgët, për shkak të motit të keq dhe njëri prej tyre ka shpëtuar.

Sipas mediave vendase, njëri prej tre miqve kishte ditëlindjen dhe ata shkuan në Halkidiki për të festuar dhe në një moment hynë në det për të notuar, duke injoruar erën e fortë dhe dallgët.

Disa prej të pranishmëve në plazh kanë vënë re se ata ishin larguar dhe kanë njoftuar menjëherë shërbimin bregdetar dhe më pas ka nisur aksioni.

Kryetarja e Bashkisë së Kasandrës, Anastasia Halkia, ka shpjeguar për mediat greke se plazhi i caktuar është shumë i rrezikshëm për not, pasi ka erëra detare dhe dallgë të mëdha.

Portali i Selanikut Voria njoftoi mëngjesin e sotëm se babai dhe vëllai i një prej personave të zhdukur ndodhen në një nga anijet me të cilat po kryhen kërkimet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button