Maqedonia ka ligj më liberal për ndërprerjen e shtatzënisë se disa vende anëtare të BE-së

Vendimi që Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara e mori javën e kaluar për të rrëzuar ligjin 50-vjeçar “Roe kundër Uejd”, me të cilin ua hoqi grave të drejtën ligjore për abort në Shtetet e Bashkuara, e tronditi botën dhe shkaktoi protesta të mëdha në mbarë botën. Anulimi i “Roe kundër Uejd”, çdo shteti në SHBA veç-e-veç, ia jep të drejtën të vendosë se si do ta rregullojë abortin, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në Evropë, e drejta për të ndërprerë shtatzëninë është e ligjshme në 39 vende, me përjashtim të Maltës, Vatikanit, Lihtenshtajnin, Andorrës dhe Polonisë, ku rregullohet me kufizime të veçanta. Në Maqedoninë e Veriut, nga ana tjetër, Ligji për ndërprerjen e shtatzënisë është mjaft liberal dhe demokratik, kurse sa i përket kornizës ligjore për ndërprerjen e abortit, ne qëndrojmë më së miri në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Lindore dhe jemi më të mirë se disa shtetet anëtare të BE-së.

Legjislacioni ligjor për abortin legal në Maqedoni

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e drejta për abort është e rregulluar me Ligjin për abort, i cili nga viti 2019 e ka përfshi mundësinë e ndërprerjes së shtatzënisë deri në javën e 9-të të shtatzënisë me metodë mjekësore dhe në institucion të kujdesit shëndetësor parësor (KSHP).

Tek ne është gruaja ajo, e cila vendos për të drejtën e saj riprodhuese deri në javën e 12-të të shtatzënisë, me pëlqimin e saj me shkrim. Nëse ajo është e mitur ose e paaftë, aborti mund të kryhet me pëlqim me shkrim të prindit/kujdestarit.

Pas përfundimit të javës së 12-të të shtatzënisë, gruaja shtatzënë mund të paraqesë kërkesë me shkrim në rastet kur, në bazë të indikacioneve mjekësore, konstatohet se shtatzënia përbën kërcënim për jetën ose do të çojë në çrregullim serioz të shëndetit të gruas gjatë shtatzënisë, gjatë lindjes ose pas lindjes.

Përcaktohet në bazë të njohurive shkencore sipas të cilave mund të pritet që fëmija të lindë me të meta të rënda fizike ose mendore, kur ngjizja ka ndodhur gjatë kryerjes së një vepre penale, gjegjësisht me rastin e ndonjë përdhunimi, gjatë marrëdhënies seksuale me person të pafuqishëm dhe të paaftë, sulm seksual ndaj fëmijës, marrëdhënies seksuale duke e keqpërdorë pozitën ose gjatë marrëdhënies seksuale brenda anëtarëve të një familjeje dhe përcaktohet se gjatë shtatzënisë ose pas lindjes gruaja mund të përballet me rrethana të vështira personale, familjare, materiale apo të tjera që do të ndikojnë në shëndetin e saj.

Pas javës së 22-të të shtatzënisë, ndërprerja e shtatzënisë vendoset nga një komision i shkallës së parë për miratimin e ndërprerjes së shtatzënisë, në institucion shëndetësor i përbërë nga dy mjekë të specializuar në gjinekologji dhe obstetrikë dhe një punonjës social. Nëse gruaja nuk është dakord me vendimin e komisionit të shkallës së parë, ajo ka të drejtë të ankohet në komisionin e shkallës së dytë që përbëhet nga dy mjekë të specializuar në gjinekologji dhe obstetrikë, një mjek i specializuar në kirurgjinë pediatrike, një psikolog dhe një anëtar me të paktën pesë vjet përvojë pune në fushën e barazisë gjinore.

Pasi në vendin tonë ekziston mundësia që gratë të ndërpresin shtatzëninë me ndihmën e medikamenteve, në vend të metodës klasike kirurgjikale, ato e zgjedhin atë mundësi edhe kur t’i drejtohen Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës.

Të dhënat e vitit 2021 nga Klinika për Gjinekologji dhe Obstetrikë tregojnë se:

  • Pacientja më e re e Klinikës Gjinekologjike dhe Obstetrike e cila e ndërpreu shtatzëninë ishte 13 vjeçe, ndërsa më e vjetra 47 vjeç.
  • Nga gjithsej 300 aborte me metodë mjekësore, 250 abortuan deri në javën e dymbëdhjetë, ndërsa 50-të nga java e dymbëdhjetë deri në javën 22 të shtatzënisë.
  • 400 gra kanë pasur fetus të dështuar dhe 70% e tyre pranojnë abortin me ilaçe.

Edhe pse vitin e kaluar rreth 70 për qind e grave me fryt misterian kanë zgjedhur ta ndërpresin shtatzëninë me ndihmën e medikamenteve, medikamenti që përdoret ende nuk është i regjistruar në vendin tonë.

“Tani me tender kemi sasi të mjaftueshme të medikamentit, por po bëhen përpjekje që të jetë sa më shumë në dispozicion. Ligjërisht, çdo paciente, e cila është shtatzënë deri në javën e 12-të të shtatzënisë, sipas ligjit të ri të abortit, mund të abortojë qoftë për indikacione sociale apo mjekësore. Tabletat merren sipas skemës. Ligji lejon që ato të merren deri në javën e 9-të. Nëse tabletat janë të regjistruara, të njëjtat duhet t’i aplikojnë edhe gjinekologët familjarë. Por te është furnizuar vetëm klinika”, shpjegon doktoresha Jadranka Georgievska nga Klinika për gjinekologji dhe obstetrikë.

Aborti me medikament është alternativë e sigurt e metodës kirurgjikale, gjë që vërtetohet me faktin se madje 80 për qind e aborteve në vendet e BE-së kryhen me medikamente. Medikamenti aktualisht është në dispozicion vetëm në një institucion shëndetësor në Maqedoni. Si rezultat i kësaj, vajzat dhe gratë që jetojnë jashtë Shkupit nuk kanë mundësi të zgjedhin se si do ta ndërpresin shtatzëninë, gjë që e kufizon ndjeshëm lirinë e tyre riprodhuese.

Edhe pse ligji në vendin tonë është shumë liberal, doktoresha Georgievska thotë se si gjinekologë janë të shqetësuar për zhvillimet në SHBA, ku kanë votuar kundër abortit.

Të njëjtin qëndrim e kanë edhe në Shoqatën për Edukim dhe Kërkim Shëndetësor- Hera, nga ku thonë se zhvillimet në SHBA kanë ndikim të madh kudo në botë, ndaj ka shumë gjasa që ato të ndjehen edhe në vendin tonë.

“Të mendohet se zhvillimet e tilla janë fenomen vetëm në një vend të caktuar dhe se ato nuk do të na prekin është vërtet e rrezikshme, veçanërisht në një epokë të tendencave në rritje të kufizimit të të drejtave të grave edhe mbi trupin e tyre. Nëpër Evropë, ky trend i heqjes së të drejtës së abortit tashmë ekziston dhe jo shumë larg nesh. Kur flasim për këtë çështje, kurrë nuk mund të izolohemi plotësisht dhe të themi “Por te ne është në rregull”. Gjithmonë ekziston rreziku që edhe ne të na ndodhë ajo që po ndodh në SHBA apo kudo, pavarësisht që aktualisht kemi një nga ligjet më progresive të abortit në Evropë, lufta dhe edukimi nuk duhet të ndalet kurrë dhe për fat të keq nuk guxojmë të relaksohemi”, shtojnë nga Hera.

FSSH të mbulojë abortin me kërkesë të gruas për arsye personale

Ligji në Maqedoni është mjaft liberal dhe demokratik, kurse sa i përket kornizës ligjore për ndërprerjen e abortit, ne qëndrojmë më së miri në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Lindore dhe jemi më të mirë se disa vende të BE-së. Megjithatë, dy gjëra duhet të punohet për të përmirësuar më tej qasjen në kujdesin dhe shërbimet për abortin, vlerëson Bojan Jovanovski, drejtor ekzekutiv në HERA.

“Mbulimi i abortit për arsye personale (me kërkesë të gruas) nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor. Gratë e paguajnë këtë shërbim privatisht në spitalet shtetërore, me përjashtim në raste të indikacioneve mjekësore kur ato lirohen nga pagesa. Por kjo do të thotë ose gruaja duhet të ketë problem mjekësor që paraqet rrezik për jetën e fetusit ose nënës, por jo në rast se ajo e kërkon për arsye personale, ndoshta sociale ose ekonomike”, thotë Jovanovski.

Çështja e dytë që sipas tij duhet të zgjidhet është mundësia që metoda me medikamente të jetë në dispozicion edhe në spitalet e tjera shtetërore, jo vetëm në Klinikë.

“Medikamenti nuk është në dispozicion në spitalet e tjera shtetërore, për shkak të sasive të vogla që blihen dhe për shkak të stafit ende të patrajnuar. Edhe pse HERA aktualisht është duke punuar në trajnimin e gjinekologëve në spitalet e qyteteve të tjera së bashku me ata të Klinikës, shpresoj që deri në fund të vitit do të kemi më shumë të trajnuar, por sërish do të jetë problem nëse ato spitale nuk mund të blejnë medikamentet”, shton drejtori Jovanovski.

Medikamentet blihen me import intervenues sepse nuk janë të regjistruara në treg, e një nga arsyet është tregu i vogël në Maqedoni. Gjithashtu, ligji parashikon që gjinekologët familjarë, pra gjinekologët në kujdesin parësor shëndetësor, kanë të drejtë ligjore për të kryer abort me medikamente (vetëm me këtë metodë), por ligji nuk specifikon mjaftueshëm se çfarë kushtesh dhe standardesh duhet të plotësojnë për ta ofruar këtë shërbim, ndërsa gjinekologët nuk janë dakord që të marrin akreditime shtesë sepse e kanë titullin specialist-gjinekolog dhe nëse tashmë mund të kryejnë kaq shumë shërbime specialistike pse të mos mund ta bëjnë edhe abortin me medikamente.

“Kjo nuk është mjaft e qartë, ndërsa edhe një numër i vogël gjinekologësh familjarë, ndoshta vetëm disa, e japin këtë lloj shërbimi. Mundësia ligjore për të pasur qasje në këtë opsion, abortin me medikamente, për të rritur aksesin në abort në të gjithë vendin, sepse numri i mjekëve gjinekologë, veçanërisht në pjesën lindore dhe veçanërisht i atyre spitalorë është duke u zvogëluar, u dha në mënyrë që të kursehen shpenzimet e grave të mos të jenë të detyruara të udhëtojnë për të marrë shërbimin, nëse ka gjinekolog familjar në afërsi”, thotë Jovanovski.

Ajo që, sipas tij, është problematike është se në spitalet private çmimi i një aborti deri në javën e 10-të (nuk kryejnë abort pas  javës 10-të të shtatzënisë) është rritur jashtëzakonisht shumë këto dy vitet e fundit. Sot është rreth 350 euro, ndërsa vetëm pak kohë më parë ishte rreth 150 deri në 200 euro.

“Për mua kjo tregon edhe pandjeshmërinë e spitaleve private në lidhje me këtë shërbim – po, ata janë të shtyrë nga fitimi, por mendoj se rritja e çmimit nuk është në proporcion me standardin aktual, ndërsa për këtë shërbim nuk është i domosdoshëm qëndrim në spital dhe kryhet shpejt. Nuk mendoj se spitalet shtetërore e kanë rritur çmimin – deri në javën e 10-të është rreth 100 euro, megjithëse një vit më parë ka pasur përpjekje nga disa spitale që ta rrisin çmimin, por u bë presion që në kushte të pandemisë të mos i shkelin nevojat dhe të drejtat e grave dhe lirinë riprodhuese.

Lëvizjet dhe propaganda antigjinore si nxitje për heqjen e së drejtës së lirisë riprodhuese

“Lëvizja anti-gjinore – ose siç preferojmë ta quajmë, anti-feministe – edhe para heqjes së të drejtave të abortit në SHBA e kishte bërë të qartë se ishte kundër lirisë riprodhuese, duke përfshirë të drejtën për abort,ndërsa kjo bëhej duke shpërndarë informacione dhe pikëpamje që aborti është ndërprerja e jetës dhe se si i tillë duhet të paraqitet në kuadër të edukimit seksual gjithëpërfshirës (edhe pse në ESGJ aborti pothuajse nuk diskutohet”, venë në pah nga Hera.

Në fakt, koncepti i fetusit si person dhe besimi se jeta fillon në momentin e ngjizjes, jo në momentin e lindjes, është baza ideologjike e lëvizjeve kundër abortit që përkon me qëndrimin e lëvizjeve anti-feministe që shfaqen në nivel global.

Hulumtimi i Forumit Parlamentar Evropian tregon se lëvizja anti-feministe në mbarë botën, në periudhën 2009 – 2018, është financuar me mbi 700 milionë dollarë, ndërsa shumica e donatorëve vijnë nga SHBA, Evropa dhe Rusia, që do të thotë se kjo po merr një hov të konsiderueshëm.

“Rritja e lëvizjeve të tilla, të drejtuara nga shoqata dhe iniciativa informale në vendin tonë, është jashtëzakonisht e madhe dhe pikërisht kjo duhet të na bëjë të mendojmë se sa larg jemi nga SHBA për sa i përket mohimit të të drejtave. Kauza e tyre, në dukje pastër dhe e kujdesshme, pas vetes bart qëllimin për të mbajtur pabarazinë e shtresave midis burrave dhe grave. Nën maskën e kujdesit për fëmijët dhe familjen, këto lëvizje shtypin pikërisht ata për të cilët gjoja po luftojnë”, janë të prerë në Hera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button