Pendarovski: Të gjithë po përballemi me një fushatë serioze dezinformative të prodhuar nga Rusia, njëlloj si pas Marrëveshjes së Prespës

Në një intervistë për gazetën greke Etnos, presidenti Stevo Pendarovski tregon se Rusia prodhon kërcënime jashtëzakonisht serioze hibride për të gjithë rajonin e Ballkanit, veçanërisht propagandë politike dhe fushatë dezinformimi, shkruan 360 Shkallë, transmeton Portalb.mk.

“Në Maqedoninë e Veriut, kompleksiteti dhe intensiteti i tyre është i njëjtë me atë të vitit 2018, gjatë referendumit pas Marrëveshjes së Prespës. Nuk kam njohuri të plota për vendet e tjera, por disa pika të dobëta në rajon janë të njohura mirë për Moskën dhe sigurisht që po përpiqet të depërtojë”, thotë Pendarovski.

Lidhur me propozimin francez, presidenti Pendarovski përsëriti se për të ai është një lloj kompromisi kalimtar me një pengesë të vendosur rrugës.

“Pas 17 vitesh në dhomën e pritjes, më në fund do të fillonim negociatat për anëtarësim dhe ky është përfitimi më i madh i saj. Megjithatë, pas procesit të shqyrtimit, ekziston një parakusht për vazhdimin e negociatave, e ai është amendamenti me të cilin bullgarët duhet të futen në Kushtetutën e Maqedonisë. Duke marrë parasysh ndarjen aktuale politike, shanset janë shumë të vogla që ndonjë parti politike të sigurojë një shumicë prej dy të tretash në parlament që do të mbështeste atë amendament kushtetues”, vlerësoi kreu i shtetit.

Në kuadër të Marrëveshjes së Prespës, Pendarovski theksoi se efekti i drejtpërdrejtë i saj është anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO.

“Ana e saj pozitive është edhe fakti se një pjesë e madhe e qytetarëve e kuptuan se ndryshimi i emrit nuk e ndikoi aspak në identitetin tonë kombëtar dhe kjo shkaktoi shqetësimin më të madh gjatë negociatave afatgjata. Ende ka kundërshtarë, por jo në atë masë sa ishte në periudhën e ndryshimeve kushtetuese. Unë supozoj se është e ngjashme me ju. Unë pres që me kalimin e kohës, shumë më tepër njerëz do të kuptojnë se marrëveshja në thelb shënoi një hapje strategjike për të dy vendet. Ai gjithashtu hap mundësi të reja për shkëmbim ekonomik dhe tregtar, për investime të huaja direkte. Ndërlidhësi i gazit në Aleksandropolis është shembulli më i fundit i kësaj. Një sipërmarrje e përbashkët që do të jetë me përfitim reciprok për të dy vendet”, tha presidenti.

Lidhur me zbatimin e tij, Pendarovski theksoi se dinamika varet nga zhvillimet e brendshme politike në Greqi. Ai shprehu shpresën se tri memorandumet e dakorduara dhe të nënshkruara tashmë në vitin 2019 do të të ratifikohen dhe do t’i hapin rrugën marrëveshjeve të reja dypalëshe mes dy vendeve.

“Të gjitha këto dokumente janë të rëndësishme për forcimin e bazës juridike të bashkëpunimit tonë, përveç atij politik, i cili është përmirësuar shumë në vitet e fundit”, tha Pendarovski.

I pyetur nëse shpreson për një mandat të dytë, presidenti Pendarovski thekson se fokusi i angazhimit të tij është ta menaxhojë vendin sa më mirë në ujërat e turbullta të politikës së brendshme dhe ndërkombëtare.

“Vetëm një gjë është vërtet e rëndësishme për mua – pikëpamjet dhe mbështetja e bashkëqytetarëve të mi. Gjatë karrierës sime, kurrë nuk kam menduar për ndonjë lëvizje të ardhshme pa mbështetjen e popullit tim”, theksoi presidenti.

Ndryshe, ndonëse me vite të tëra, Maqedonia e Veriut merrte rekomandime për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, e njëjta nuk u bë deri përpara se të arrihej marrëveshja. Megjithatë, siç cekëm më lartë, fillimi i negociatave tani mbahet peng nga Bullgaria.

Në vend më 30 qershor mbërriti propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend. Nga atëherë partia maqedonase VRMO-DPMNE disa herë ka protestuar kundër këtij propozimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button