Sela mes PDSH-së dhe partisë së re!?

Ziadin Sela, padyshim, politikani surprizë i dhjetëvjecarit të fundit në taborin politik shqiptar në Maqedoni, pritet sot në emisionin më të ndjekur politik në vend “Rruga Drejt”  në Alsat-M të shpalos  shumë çështje të aktualitetit politik dhe të ridefinojë rrugën politike që do të ndjek.  Sela, kryetar i komunës së Strugës, i zgjedhur nën logon e PDSH-së, shfaqi hapur mospajtimin e tij ndaj udhëheqësisë partiake, sidomos kryetarit Menduh Thaçi, për mosreformimin e partisë, gjë e cila sipas Selës e bën PDSH-në të jetë në një opozitë të thellë që nuk dihet se kur mbaron.

Konfliktet politike me kryetarin aktual të PDSH-së, Menduh Thaçi, u theksuan me përjashtimin e Selës, nga PDSH-ja, vendim që e mori kryesia qendrore. Por, cuditërisht, një hap i paparë politik pasoi rrugëtimin e Selës, i cili tha se nuk ka askush të përjashtojë atë nga partia ku aderon tradicionalisht e familjarisht, e u shpreh se do të jetë politikani brenda PDSH-së që do të reformojë PDSH-në.

Si pasojë, në Strugë tashmë kemi dy PDSH, në njërën anë atë të Menduh Thacit dhe në anën tjetër PDSH-në e Ziadin Selës. Ky hap, provokoi konfliktet e Selës me të gjithë kolegët deputetë të PDSH-së dhe udhëheqësinë e lartë të kësaj partie, të cilat u reflektuan përmes debatit publik konfliktuoz politik, më shumë përmes online-mediumeve apo rrjeteve sociale. Por, padyshim, Ziadin Sela, ndryshon nga të gjithë akterët e deritashëm protagonistë të politikës shqiptare në Maqedoni. Madje, shumë përkrahës thonë se Sela po e artikulon mendimin e shumë individëve, që janë edhe anëtarë të PDSH-së, por për shumë shkaqe nuk kanë mundur ta deklarojnë publikisht. Nuk dihet se sa do ia arrijë Sela të futet në PDSH dhe të reformojë këtë parti, duke realizuar hapin e parë, që sic thotë është dorëheqja e parevokueshme e kryetarit aktual z. Menduh Thaçi, dhe kryesisë së ngushtë të partisë, për marrjen e përgjegjësisë për humbjen e paparë në zgjedhjet e fundit parlamentare, dhe gjithë humbjet tjera të deritashme.

Për këtë, Sela, nga shumë spekulime, ka edhe përkrahjen e ambasadave të huaja, ngaqë deklaratën ku kërkonte dorëheqjen e Menduh Thaçit ai e dha pas takimit që pati me Ambasadorin e SHBA-ve në vend, z. Paul Volers. Rrjedhimisht Sela duhet të marrë pjesë në konventën e PDSH-së që mbahet në fund të vitit dhe aty të deklarojë hapur kandidimin për kryetar partie. Rruga tjetër mund të jetë krijimi i partisë së re, me ideal për të thithur anëtarësinë opozitare, sidomos atë të PDSH-së. Nga ana tjetër skeptikët thonë se Sela nuk posedon karizmin e duhur për të realizuar barën e rëndë që i ka vënë vetes. Sipas tyre, ai do të përfundojë në rrugët e Imer Selmanit apo Rufi Osmanit. Por, në dukje, Sela është politikani më i hapur e me një kycje krejtësisht të re në rrugën politike.

Ai vjen me një background të pasur, duke fituar bindshëm komunën e Strugës, me një elektorat që gjithnjë e më shumë po fascinohet rreth ideve të tij. Andaj, nga shumë njohës të rrethanave politike, Sela është politikani surprizë, që artikulon publikisht në mënyrë të mençur mendimet e gjithë shqiptarëve të Maqedonisë të shprehura në tavolinat e mbyllura./TetovaSot/

Lajme të ngjashme

Back to top button