LSDM-ja dhe BDI-ja akuzojnë Mickoskin dhe Apasievin për strategji pro-ruse në protesta

Dy partitë në pushtetLSDM-BDI, akuzojnë VMRO-në dhe Levicën, për siç thonë, strategjinë pro-ruse të protestave, si dhe frikë nga e vërteta. Sipas LSDM-së, fakti që VMRO-DPMNE dhe Mickoski po ikin nga debati për çështje kaq të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve tanë dhe të vendit tonë tregon se ata kanë frikë se të gjitha gënjeshtra dhe trillimet e tyre do të dështojnë, transmeton Portalb.mk.

“Me propozimin e fundit evropian, ne kemi një gjuhë të pastër maqedonase në BE, pa shtesa dhe fusnota, identiteti maqedonas mbrohet plotësisht, dhe çështjet historike nuk janë pjesë e procesit të negociatave. VMRO-DPMNE nuk duhet të ikë, por të marrë pjesë në debatin në Kuvend dhe deri atëherë të heqë dorë nga bllokadat, shkatërrimet dhe skenarët e përgjakshëm me Të majtën proruse, me Aleancën, që nuk ia doli”, thonë nga LSDM.

Pas kolapsit të koalicionit VMRO-DPMNE dhe Aleancës, shtojnë nga kjo parti, tani Hristijan Mickoski dhe Dimitar Apasiev mbeten të vetëm dhe të izoluar në agjendën antievropiane. LSDM, thotë se kundër BE-së janë vetëm VMRO-DPMNE dhe E majta.

“Apasiev dje publikisht bëri thirrje kundër anëtarësimit në BE dhe konfirmoi edhe një herë veprimin për interesa të të tjerëve. Pas deklaratave të tilla, partneri i tij në koalicion, Mickoski duhet të dalë para qytetarëve dhe të shpallë nëse edhe ai vepron për anëtarësim në Bashkimin euroaziatik dhe se ne nuk duhet të jemi pjesë e BE-së?A është kjo arsyeja që VMRO-DPMNE dëshiron të ikë nga një debat në Kuvend për këtë çështje?”, pyesin nga LSDM.

Nga ana tjetër edhe partia tjetër shqiptare në pushtet, BDI, nënvizon se Dimitar Apasiev si partner koalicioni i Mickoskit dhe VMRO DPMNE-së por edhe i Aleancës dhe Besës në koalicionin “61”, ka zbardhur strategjinë pro-ruse të protestave të përbashkëta si opozitë, për të penguar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian e duke kërkuar alternativa tjera për ndryshimin e kursit strategjik të vendit dhe lëshimin e rrugës së integrimit evropian.

“Bashkimi Demokratik për Integrim që nga 5 nëntori i vitit të kaluar ka denoncuar agjendën ruse dhe destabilizuese në prapavijë të koalicionit “shumicë e re 61” dhe kjo u konfirmua edhe sot. Opozita të deklarohet se cilat janë alternativat e reja që ata po i’a ofrojnë qytetarëve. A i ndajnë qëndrimet me partnetin e koalicionit Levica për një partneritet euro-aziatik?”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim theksojnë se këto protesta të dhunshme kundër ardhmërisë së qytetarëve shpalosën se kush është për dhe kush kundër Bashkimit Evropian, prandaj dhe qytetarët duhet të distancohen nga ato.

Kujtojmë se pasditen e 5 korrikut është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas kundër propozimit francez, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.

Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri. Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button