Urimet e krerëve politik në Maqedoninë e Veriut për Kurban Bajramin

Krerët politik në Maqedoninë e Veriut kanë uruar besimtarëve mysliman në vend festën e Kurban Bajramit. Mesazhi i përgjithshëm i tyre në këtë ditë festive është që të mbizotërojë solidariteti, toleranca, mirëkuptimi i ndërsjellë, bashkëjetesa dhe mirësia te të gjithë, njofton Portalb.

Kryetari i shtetit Stevo Pendarovski, besimtarëve myslimanë u ka dëshiruar shëndet, lumturi dhe mirëqenie dhe potencon se ditët festive janë mundësi për thellim të respektimit të ndërsjellë përmes njohjes me traditat e më të ndryshmëve nga ne.

“Para së gjithash, Kurban Bajrami është festë e solidaritetit dhe kultivimit të shprehive të mira të mëshirës, ​​bujarisë dhe humanizmit ndaj nevojtarëve që kanë nevojë për mbështetje çdo ditë. Rëndësia e festës më së shumti del në pah pikërisht në periudha sfidash ekonomike me të cilat po përballet vendi ynë dhe pjesa më e madhe e botës. Njëkohësisht, Kurban Bajrami është pjesë e pandashme e bashkëjetesës shekullore në shoqërinë multifetare dhe multietnike të Maqedonisë së Veriut. Jam i bindur se solidariteti ndaj të pambrojturve dhe bashkëjetesa e të ndryshëmve në këto ditë festive, por edhe gjatë gjithë vitit, do të na ndihmojë të bashkuar t’i tejkalojmë sfidat me të cilat po përballemi në nivel personal dhe kolektiv”, potencon Pendarovski në urim.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke uruar besimtarët muslimanë, theksoi se festa Kurban Bajramit na kujton misionin tonë më të rëndësishëm njerëzor – në frymën e durimit, vetëmohimit dhe sakrificës për t’u kujdesur për të dashurit tanë dhe për të gjithë ata që kanë nevojë për dorën e ndihmës dhe për të ruajtur bujarinë, dhembshurinë dhe solidariteti që kemi tani, i nevojshëm më shumë se kurrë.

“Madhështia e Kurban Bajramit na kujton njëkohësisht se mund t’i kapërcejmë të gjitha problemet së bashku si deri më tani- në frymën e traditës shekullore të bashkëjetesës. Me dëshirë për shëndet, paqe dhe mbarësi për të gjithë besimtarët e besimit islam, ju uroj që ditët e festave t’i kaloni me gëzim shpirtëror dhe besim në kohët më të mira që do t’i festojmë së bashku në atdheun tonë të përbashkët”, theksohet në urimin e Kovaçevskit.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka uruar besimtarët myslimanë që në Kurban Bajrami, si festë e solidaritetit dhe bashkëndjesisë, festë e zemërgjerësisë dhe faljes, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet njerëzve, pa dallim në janë të afërm, të largët, të njohur e të panjohur, le të kaplojë zemrat e të gjithë njerëzve dhe t’i mbushë me gëzimin që e sjell kjo ditë e madhe. Le të jetë, shton ai në urim, edhe një arsye plus për t’u tubuar bashkë rreth tryezës familjare, për të ndarë atë që kemi dhe nuk kemi, sado pak apo shumë që është, me ato që kanë më pak fat dhe mirëqenie.

“Njerëzimi kalon nëpër një periudhë të zymtë të ekzistimit kur vihet në pyetja siguria e jetës, ekzistenca ekonomike dhe mirëqenia shëndetësore. Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk janë përjashtim. Edhe pse kemi teknologji të avancuar dhe globalizimi ndihet në çdo kënd, përsëri jemi të largët dhe të huaj. Përsëri jemi të vetmuar dhe i luftojmë betejat tona intrapersonale dhe interpersonale vetë. Mos lejojmë së paku për çështjet thelbësore të jemi vetë por, të bashkohemi për të tejkaluar bashkë çdo pengesë apo vështirësi që na shfaqet para. Le të kremtojmë bashkë jetën dhe të ndërtojmë ardhmërinë e përbashkët. Të gjithë jemi pjesë e pandashme e këtij trualli dhe kujdesi dhe ruajtja e tij është obligimi i të gjithëve ne. Edhe njëherë, urime Kurban Bajrami dhe për shumë vite ta festojmë!”, potencon Xhaferi në urim.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti besimtarëve myslimanë ju uron shëndet, paqe, dashuri dhe mbarësi në vatrat tuaja familjare.

“Le të reflektojmë të frymëzuar nga mirësitë e kësaj feste mbi praktikimin e përditshëm të parimeve të besimit, solidaritetit, pajtimit dhe përhapjes së mirësisë për të pasur jetë të lumtur. Dora e shtrirë e përkrahjes dhe ndihmës ndaj atyre që kanë nevojë është mesazhi hyjnor i festës së Kurban Bajramit që i jep kuptim ekzistencës sonë. Qofshin të përjetshme vlerat e mirësisë në mesin tonë! Gëzuar!”, thekson në urim Ahmeti.

Në urimin me rastin e festës së Kurban Bajramit, kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela thekson se kjo ditë është nga mesazhet më të fuqishme se sakrifica dhe solidariteti sjellin festë dhe lumturi.

“Dashurinë dhe paqen mes nesh mund ta gjejmë vetëm nëse largojmë egon dhe ndajmë bashkë mirësitë.
Shëndet, harmoni dhe begatitë e Zotit për ju dhe familjet tuaja!”, shton Sela në urim.

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në urim potencon se Kurban Bajrami vjen për të na kujtuar se, pëlqimi i Zotit arrihet duke sakrifikuar atë për të cilën për ne është më e vlefshmja.

“Secili nga ne kemi Ismailin tonë, por Zoti nuk na sprovon me Ismailin vetëm atëherë kur ne kemi arritur gradën e profetit Ibrahim. Shpagimi vjen vetëm atëherë kur ne jemi të gatshëm për sakrificë. Le t’a përcjellim këtë mesazh të madh sa më shumë në këtë ditë të bekuar. Urime Festën e Haxh të pranuar për të gjithë haxhilerët!”, shton Kasami në urim.

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi në urimin drejtuar besimtarëve myslimanë thekson se sot, duke e përjetuar festën e Bajramit, t’i kujtojmë edhe ato familje që i kanë humbur të dashurit e tyre, t’i kujtojmë ata që kanë nevojë për buzëqeshjen tonë dhe për dorën tonë.

“Mos të harrojmë se edhe “buzëqeshja është lëmoshë”. Sot të gjithë duhet të jemi të lumtur e të gëzuar. Gatishmëria e Ibrahimit që ta flijojë të birin e vetëm dhe të shumëpritur, Ismailin, është shkalla më e lartë e sakrificës, para së cilës stepemi të gjithë, ashtu siç na sosen fjalët kur qëndrojmë para sakrificës së familjes Jashari në Prekaz. Janë këta shembuj ilustrues se kjo botë nuk do të ishte e këtillë pa mundin dhe pa gjakun e heronjve.
Këto, veç tjerash, janë leksionet e Bajramit të Kurbanit, i cili bashkë me simbolikën e sakrificës na vjen edhe me haxhin ose pelegrinazhin vjetor të besimtarëve në vendet e shenjta, ku me miliona haxhinj janë bashkuar për ta adhuruar Perëndinë, për t’u lutur me përgjërim për paqe, dashuri, shëndet e lumturi”, thotë Gashi në urim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button