Pendarovski: Federata Ruse abuzon me protestat përmes sulmeve hibride

Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, në një intervistë për emisionin “Click Plus” në TV21, tha se gjendja e sigurisë në vend po përkeqësohet. Sipas informacioneve që ai ka marrë nga shërbimet e sigurisë, Federata Ruse po abuzon me protestat dhe janë hedhur disa dhjetëra persona nga vendet fqinje që po tentojnë të provokojnë incidente, transmeton Portalb.mk.

“Kemi disa dhjetëra persona që kanë ardhur nga shtetet fqinje dhe që po tentojnë të provokojnë incidente në protestë. Pra jo qytetarët tanë. Këto të dhëna janë të njohura për të gjitha organet kompetente”, tha Pendarovski, duke shtuar se në bashkëpunim me partnerët e NATO-s po bëhet gjithçka për të parandaluar përpjekje të tilla.

“Është e vështirë të besohet se një djalë 18-vjeçar e di se çfarë është koktej molotovi, si ta bëjë atë, kur ta hedhë”, tha Pendarovski.

Sipas presidentit, Maqedonia e Veriut aktualisht është nën sulme hibride të intensifikuara të ngjashme me nivelin e shtatorit 2018 kur u organizua referendumi për ndryshimin e emrit “dhe nuk ka të bëjë fare me njerëzit që protestojnë”.

“Më lejoni të sqaroj, palët e treta, pikërisht Federata Ruse, po abuzojnë me faktin që qytetarët protestojnë në mënyrë legjitime kundër propozimit francez”, shtoi ai.

VMRO-DPMNE dhe E majta vazhduan sot protestat e tyre duke bllokuar qarkullimin në katër lokacione në mbarë vendin. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi se bllokimi i autostradave dhe rrugëve kryesore është i ndaluar me ligj.

Sonte dhe nesër nuk do të ketë protesta, ndërsa protesta e ardhëshme është caktuar të dielën në orën 19:00 para Qeverisë. Protesta e djeshme e gjashtë radhazi u zhvillua në mënyrë paqësore, gjatë së cilës folësit para Kuvendit, si në ditët e kaluara të protestës, kërkuan dorëheqje nga Qeveria dhe refuzim të propozimit.

Paraprakisht, Qeveria e ka përcjellë propozimin në Kuvend.

Lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, para fillimit të protestës, tha se “Qeveria ka frikë të vendosë vetë dhe fokusin e zhvendos në Parlament”, duke theksuar se VMRO-DPMNE nuk do të mbështesë asnjë ndryshim kushtetues.

Kujtojmë se pasditen e 5 korrikut është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas kundër propozimit francez, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.

Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri. Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka shpërndarë një fotografi të një personi me pistoletë në dorë, duke akuzuar se “ky është personi i cili është dashur të më vret”. Ai ka kërkuar nga MPB dhe ministri, Oliver Spasovski, personi të arrestohet. Dhunën e protestuesve e kanë dënuar partitë në vend, por edhe faktori ndërkombëtar.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, raQeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button