Samsung prezantoi platformën e re të video-lojërave për televizorë

Kompania koreano-jugore e teknologjisë, Samsung, njoftoi një aplikacion të ri për televizorët dhe ekranet inteligjente, që do të shërbejë vetëm për lojërat në rrjet. Tashmë nuk do të nevojitet më njësia qendrore elektronike që duhej tradicionalisht për të përdorur këto video-lojëra. E gjithë industria e lojërave elektronike po zhvendoset tashmë gradualisht drejt modelit me pagesë mujore, transmeton Zëri i Amerikës.

Video-lojërat në një ekran televiziv nuk janë diçka e re. Por mos kërkoni për njësinë elektronike, pasi ajo nuk ekziston më. Tashmë ato luhen drejtpërsëdrejti në rrjet nëpërmjet një serveri të fuqishëm qendror.

Kompania Samsung po e shton tashmë platformën e saj të re të lojërave tek disa prej televizorëve të saj. Nga aplikacioni i ri mund të fillohen lojërat e rrjeteve Utomik, Nvidia GeForce Now, Google Stadia, si dhe Xbox.

Përdoruesit duhet të jenë të regjistruar me këto rrjete, dhe të kenë një lidhje interneti me shpejtësi minimale prej 20 Mbps në sekondë. Për ata që kanë fatin të kenë internet të mirë, kjo eksperiencë e re rivalizon eksperiencën e deritanishme të lojërave me pajisje qendrore.

“Disa njerëz as nuk dalluan dot nëse loja ishte nëpërmjet rrjetit apo një pajisjeje lojërash. Pra, eksperienca është tepër e ngjashme dhe ajo që po mundohemi të arrijmë me produktin tonë është që ta hapim sektorin e videolojërave për të gjithë. Madje edhe nëse njerëzit kanë një pajisje lojërash në dhomën e ndenjes, mund ta vazhdojnë lojën më vonë në ekranin e Samsungut që mund të kenë në dhomën e gjumit”, shpjegon Gus Grimaldi, drejtues për degën në Evropë të kompanisë Samsung.

Kompania Samsung do të përpiqet të ruajë rezolucionin e lartë të lojërave, si p.sh. ato të platformës Xbox. Përdoruesit do të kenë mundësinë që në një monitor inteligjent Samsung të aktivizojnë modalitetin e video-lojërave dhe madje edhe të ndërlidhin pajisje të tjera.

Por, krahas kësaj platforme për të ndërlidhur shërbimet e video-lojërave të kompanive të tjera, a do të futet vetë në garë një ditë kompania Samsung?

“Ndoshta. Kurrë nuk i dihet. Bisedojmë gjithnjë me partnerët tanë dhe jemi gjithnjë novatorë. Po sjellim këtë përvojë të re për pajisjet tona televizive. Jemi të hapur për përvoja të reja dhe për të marrë njerëz të rinj. Ndoshta mund të jetë një alternativë”, thotë Grimaldi.

Aplikacioni i lojërave Xbox është për momentin i disponueshëm në televizorët Samsung, por nuk është e qartë nëse do të zgjasë kjo marrëveshje.

“Për shumë konsumatorë kjo nuk do të përbënte interes nëse nuk do të kishte patur Xbox-in. Prania e aplikacionit Xbox e legjitimon të gjithë këtë platformë të re”, thotë Dominic Preston, redaktor në botimin për teknologjinë “Tech Advisor”.

Ndërsa kompania Samsung po përqendrohet tek rritja e cilësisë për platformën e saj të videolojërave Gaming Hub, zoti Preston thotë se kufizimet teknologjike janë të pashmangshme.

“Loja në rrjet nuk ka arritur ende të ofrojë plotësisht cilësinë që ofrojnë video-lojërat me njësi qendrore. Nuk di nëse do t’ia arrijë ndonjëherë pasi gjithnjë do të jetë faktori i vonesave të rrjetit”, thotë zoti Preston.

Platforma “Samsung Gaming Hub” doli në qarkullim më 30 qershor për televizorët dhe monitorët inteligjentë Samsung, dhe mund të instalohet automatikisht nëpërmjet sistemit operativ, Tizen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button