Biden nënshkroi urdhër ekzekutiv për mbrojtjen e qasjes në abort

Presidenti Joe Biden nënshkroi sot një urdhër ekzekutiv për të mbrojtur qasjen e grave ndaj abortit dhe kontraceptivëve, pasi Gjykata e Lartë rrëzoi muajin e kaluar një vendim të mëparshëm që legalizonte abortin, transmeton Zëri i Amerikës.

Masat që përfshihen në urdhrin ekzekutiv, synojnë lehtësimin e disa pasojave me të cilat mund të përballen gratë që kanë nevojë për abort për shkak të vendimit të Gjykatës, por janë të kufizuara në aftësinë për të mbrojtur qasjen e abortit në mbarë vendin.

Biden e pranoi se urdhri ekzekutiv nga Shtëpia e Bardhë është i kufizuar, duke thënë se do të duhej që të vepronte Kongresi për të rikthyer qasjen ndaj abortit në mbi 10 shtete ku kufizimet e rrepta ose ndalimi i plotë i tij ka hyrë në fuqi pas vendimit të Gjykatës së Lartë.

“Mënyra më e shpejtë për të rikthyer (të drejtën kushtetuese për abort) është miratimi i një ligji mbarëkombëtar. Sfida me të cilën përballemi kërkon të votoni. Ka zgjedhje në nëntor, pra votoni, votoni, votoni!” tha Biden.

Biden nxiti veçanërisht gratë të dalin të votojnë në zgjedhjet e Kongresit në nëntor, duke thënë se mënyra më e shpejtë për të kthyer mbrapsht përmbysjen e të drejtave të abortit nga Gjykata e Lartë është zgjedhja e një shumice mbizotëtuese demokrate në Kongres për të miratuar një ligj që t’i garantojë ato të drejta.

“Kjo është rruga më e shpejtë në dispozicion,” u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Është shpresa dhe bindja ime e fortë që gratë do të votojnë në numër rekord për të rifituar të drejtat që u janë marrë nga gjykata.”

Çështja mund të kontribuojë në mobilizimin e demokratëve në zgjedhjet për Kongresin në nëntor, kur republikanët kanë një shans për të marrë kontrollin e Kongresit. Aktualisht, demokratët kanë një shumicë të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve dhe kontrollojnë Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë, vetëm përmes votës së nënpresidentes Kamala Harris.

Biden paralajmëroi se nëse republikanët marrin kontrollin pas zgjedhjeve afatmesme, ata kanë lënë të kuptohet se do të miratojnë një masë për ndalim mbarëkombëtar të abortit, por tha se do t’i vinte veton që mase të tillë.

Presidenti Biden, ka qenë nën presionin e mbështetësve të partisë së tij, veçanërisht krahut progresist, për të vepruar pas vendimit të Gjykatës së Lartë, që shfuqizoi mbrojtjen kushtetuese 50 vjeçare për të drejtat riprodhuese të grave.

Urdhri ekzekutiv udhëzon Departamentin e Shëndetësisë të ndërmarrë veprime për të mbrojtur dhe zgjeruar qasjen ndaj “abortit me ilaçe” të miratuara nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, tha Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Biden udhëzoi gjithashtu departamentin që të garantojë qasjen e grave tek kujdesi mjekësor urgjent, shërbimet e planifikimit familjar dhe metodat kontraceptive.

Biden e ka dënuar vendimin e gjykatës dhe sot i përsëriti kritikat ndaj saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button