Fundi i monopolit të gazit rus në Ballkan, u hap interkonektori i gazit Greqi-Bullgari

Kryeministri bullgar, i dorëhequr, Kirill Petkov dhe ai grek Kirijakos Micotakis e lëshuan sot në përdorim interkonektorin (ndërlidhësin) e ri të gazit mes dy vendeve te qyteti grek Komotini. Në ceremoni mori pjesë edhe ministri i Energjisë së Azerbajxhanit, Parviz Shahbazov, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

“Ndërlidhësi do të transformojë hartën energjetike të rajonit, duke e thelluar lidhjen energjetike mes dy vendeve”, tha Kiril Petkov , ka transmetuar bTV Novinite.

Ai ka shtuar se realizimi i këtij projekti infrastrukturor mundëson diversifikim real të burimeve të furnizimit me gaz natyror për Bullgarinë, e cila deri më tani ishte plotësisht e varur nga gazi rus. Petkov shtoi se sasitë e para të gazit azerbajxhanas, përmes gazsjellësit kryesor që lidh Greqinë dhe Bullgarinë, do të rrjedhin gjatë javëve në vijim.

Kryeministri grek Micotakis deklaroi në ceremoni se gazsjellësi ndërlidhës është urë kyçe energjetike, e cila është e rëndësishme për Greqinë, Bullgarinë, Ballkanin dhe Evropën. Kjo linjë infrastrukturore e lidh qytetin grek Komotini me Stara Zagorën në Bullgari.

Gazeta serbe Danas shpjegon se ndërlidhësi i gazit është i gjatë 182 kilometra dhe kapaciteti fillestar i tij është transporti i 3 miliardë metër kub gaz natyror, me mundësi që kapaciteti të rritet në 5 miliardë metra kub.

Gazeta greke Katimerini shkruan se vënia në punë e tubacionit ndërlidhës është shtyrë për një kohë të gjatë. Ministri i Azerbajxhanit Shabazov shtoi se vënia në punë e këtij projekti është hap historik që do të diversifikojë burimet e furnizimit me energji.

Krahas tubacioneve ekzistuese ndërkombëtare të gazit TAP dhe TANAP, ky ndërlidhës i gazit do të jetë në gjendje të transportojë gaz natyror nga terminali i ardhshëm i gazit që do të ndërtohet në qytetin grek të Aleksandropulos. Ndryshe, Maqedonia e Veriut aktualisht ka të ndërtuar vetëm një lidhje gazi me Bullgarinë, kështu që me ndërlidhësin e ri të gazit Bullgari-Greqi do të mund të importojë gaz natyror edhe nga Azerbajxhani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button