Dështuan akuzat ndaj ish-presidentit Blatter dhe Platini

Një gjykatë zviceriane hodhi poshtë të premten akuzat për korrupsion ndaj ish-presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter dhe legjendës së futbollit francez, Michel Platini, pas një hetimi shtatë-vjeçar, gjatë të cilit ata u përjashtuan nga rolet drejtuese të strukturave të futbollit, raporton VOA.

Gjykatësja Josephine Contu Albrizio tha se marrëveshja Blatter – Platini, sipas së cilës FIFA, do t’i paguante Platinisë 2 milionë dollarë si konsulent, ishte e besueshme, ndërsa shtoi se ekzistonin dyshime serioze lidhur me pretendimin e prokurorisë se pagesa ishte korruptive.

Për këtë arsye, zoti Blatter, që kishte drejtuar FIFA-n për 17 vjet, u çlirua nga akuzat për mashtrim nga Gjykata Federale Penale e qytetit jugor, Bellinzona. Edhe akuzat për mashtrim ndaj ish-kapitenit dhe ish-menaxherit të ekipit kombëtar të Francës, u hodhën poshtë.

Si zoti Blatter, edhe zoti Platini, dikur ndër figurat më të fuqishme të futbollit botëror, i kishin mohuar akuzat.

Prokurorët federalë zviceranë thanë se do të shqyrtonin vendimin me shkrim përpara se të vendosnin nëse do të apelonin.

“Unë gjithmonë kam thënë se ndërgjegjia ime është e pastër,” u tha zoti Blatter gazetarëve.

“Natyrisht askush nuk është i përkryer, por për mua, me një karrierë 44 vjeçare në FIFA, është shumë e rëndësishme që kjo çështje mori zgjidhje në nivelin më të lartë”, shtoi 86-vjeçari.

Edhe 67 vjeçari Platini u shpreh i lehtësuar.

“Dua të shpreh lumturinë time për të gjithë të dashurit e mi që drejtësia më në fund u vendos pas shtatë vitesh gënjeshtrash dhe manipulimesh,” tha ai.

“E vërteta ka dalë në dritë,” shtoi ai.

Prokurorët kishin akuzuar zvicerianin Blatter dhe francezin Platini se kishin rënë dakord në mënyrë të paligjshme, që FIFA t’i paguante këtij të fundit dy milionë franga zvicerane (2.06 milionë dollarë) në vitin 2011.

Akuzat sollën si rezultat humbjen me turp të postit nga zoti Blatter si president i FIFA-s dhe u dhanë fund shpresave të Platinisë për ta pasuar atë.

Zoti Blatter kishte thënë se pagesa prej dy milionë frangash pasoi një “marrëveshje zotërinjsh” mes tyre, kur ai i kërkoi Platinisë të ishte këshilltari i tij teknik në vitin 1998.

Platini, punoi si konsulent nga viti 1998 në vitin 2002 me një pagë vjetore prej 300,000 frangash zvicerane, një pagë që u rrit deri në 1 milion një vit më vonë.

Hollësitë për pagesën dolën në pah pas një hetimi të ndërmarrë nga Departamenti amerikan i Drejtësisë lidhur me ryshfete, mashtrim dhe pastrim parash në FIFA në vitin 2015, gjë që shkaktoi dorëheqjen e zotit Blatter.

Të dy zyrtarët u përjashtuan në vitin 2015 nga strukturat drejtuese të futbollit për tetë vjet për shkak të pagesës.

Platini, i cili gjithashtu humbi postin si president i UEFA-s për shkak të hetimit, tha se akuzat ishin një përpjekje e qëllimshme për të penguar përpjekjen e tij për t’u bërë president i FIFA-s në vitin 2015.

Ish-sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Gianni Infantino, hyri në garën për kreun e FIFA-s dhe fitoi zgjedhjet në 2016.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button