Sërish për shtetin që s’bëhet

Mendimtari, mësuesi, politikani dhe filozofi kinez Konfuçi ka thënë para shumë shekujsh: Ata rrugët e të cilëve janë të ndryshme s’mund të bëjnë plane të përbashkëta. Mjerisht kjo vlen dhe do të vlejë edhe për Maqedoninë e sotme të Veriut, për aq kohë sa shteti do të mbyll sytë e veshët dhe do të tolerojë individë, madje parti politike që, vend e pa vend, kur u teket dhe pa asnjë shkas, ushqejnë turmat me antishqiptarizëm të manifestuar nëpërmjet ulërimave fashizoide: Dhoma gazi për shqiptarët! Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur! Sëpata për shqiptarët! Vdekje shqiptarëve!…  

A ka kush e shpjegon histerinë aktuale të albanofobëve në protestat e organizuara nga partitë opozitare maqedonase, gjoja për shkak të revoltës së popullit kundër propozimit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë? A ka kush e gjenë një lidhje të vetme ndërmjet refuzimit të propozimit francez… dhe britmave për shfuqizimin e Marrëveshjes së Ohrit,  Platformës Shqiptare, Ligjit për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, ofendimeve të rënda ndaj etnisë shqiptare, ndaj kryetarit të qeverisë së Shqipërisë Edi Ramës, përdhosjes së përmendores së Heroit të kombit shqiptar Skënderbeut…, të orkestruara nga liderët e partive proserbe e proruse, ëndrra e të cilëve, ashiqare: nuk është anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, po në Bllokun Euro-Aziatik.

E kam thënë edhe në kontekst të disa protestave të tjera shoveniste, të nisura nga një shkas dhe të metamorfozuara sakaq në protesta antishqiptare, se një shtet që toleron manifestimin e hapur të urrejtjes ndëretnike (klithjet fashizoide për shfarosjen e “tjetrit”,  burgosjet e kurdisura, inskenimet e konflikteve ndëretnike e ndërfetare, instrumentalizimin e medies dhe pitbullëve të saj, korrupsionin, keqpërdorimet ordinere të parave popullore dhe shtonat tjera kutërbuese të kapadainjëve me veset e Luigjit XIV, që e pandehin veten për Diell dhe thonë: shteti jam unë!),  s’është tjetër pos shkretishtes së sëmurë nga ileti i rrezikshëm me gjenezë mesjete, që përpiqet më kot të aktrojë shtetin demokratik të së drejtës.

Kjo është njëra nga arsyet e mëdha që i bën të rinjtë të ikin përgjithmonë nga Maqedonia e Veriut, sepse jeta këtu është e njëjtë me gazepin e të ngujuarve brenda rrethit vicioz të shpellës ku nuk ndrit asnjë xixë shprese.

Në kësi konditash, në shtetin e qeverisur nga parësitë kleptokrate, me kushtetutën që grupin e dytë më të madh etnik të vendit e quan 20-përqind…, në veçanti është keq të jesh shqiptar, sepse në kreatura të këtilla, ku askush nuk ka takat të ndryshojë me mjete demokratike gjendjet horror, të gjitha ëndrrat njerëzore vdesin në aktin e lindjes. Prandaj: as partitë në pushtet, as ato që do t’i zëvendësojnë një ditë prej ditësh, nuk do të mund të bëjnë asgjë prej gjëje, pavarësisht premtimeve që shfrytëzohen si armë për trullosje zgjedhësish me mungesë kujtese.

Shi për këtë: shteti i bërë pronë hërtash të papërgjegjshëm, ku drejtësinë e bëjnë gjyqtarët kukulla të tyre; shteti ku sigurinë e të dashurve tanë e ruan policia para hundëve të së cilës kërkohet fundi ynë në dhoma gazi; shteti që nuk na e mundëson ta shohim qartë të nesërmen e më të dashurve që na i ka falur Zoti… mund te jetë gjithçka përveç Mëmëdheut.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button