Kacarska: Mbajtja e një referendumi mbi propozimin francez do të ishte proces i mundimshëm dhe i gjatë

Nuk e di se sa qytetarë në këtë moment të polarizuar emocional mund të gjykojnë nga një anketë nëse janë “pro” apo “kundër” një propozimi të caktuar, i cili as nuk ishte i disponueshëm publikisht dhe për të cilin ka ende shumë dyshime pavarësisht shpjegimevet, ha sot drejtoresha e Institutit për Politika Evropiane (IPE), Simonida Kacarska para Forumit Europeum 2022 – “Ballkani Perëndimor dhe BE në vitin 2022: Çfarë qëndron përpara?”, transmeton Portalb.mk.

Sipas Kacarskës, në këtë moment ne të gjithë kemi përgjegjësi që t’i japim hapësirë ​​Parlamentit që në mënyrë racionale të diskutojë çështjet rreth kornizës së negociatave.

Kacarska konsideron se mospublikimi i protokollit dhe procesverbalit e bën të pamundur vlerësimin e situatës nga një pjesë e njerëzve dhe ndoshta për këtë krijohet hapësira për dyshime dhe interpretime të ndryshme.

“Është ndoshta më mirë për të gjithë ne nëse në tërë atë paketë do ta dinim se cilat janë ato dokumente dhe si duken. Përndryshe, nuk mund të flasim për një debat thelbësor. Parlamenti është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse e dimë që hapi i parë që na vjen është ndryshimi i Kushtetutës në propozimin aktual të kornizës së negociatave, i cili nuk do të jetë një hap i lehtë dhe për të duhet të sigurohen të gjithë palët e interesuara aq sa është mundur”, tha Kacarska, duke theksuar se asnjë proces konsultativ nuk mund të jetë i kotë nëse është i hapur.

Në pyetjet e gazetarëve se sa realiste është të pritet që mund të marrim propozim të ri të modifikuar, Kacsarska u përgjigj se në këtë fazë mesazhet janë se kjo është kjo, megjithatë siç tha ajo, “ne edhe po të vazhdojmë do të duhet të jemi shumë të kujdesshëm në diskutimin me Bullgarinë, mbi të gjitha të mos e politizojmë më tej”.

“Kuvendi në çdo rast mund të nxjerrë konkluzione me të cilat do ta obligojë Qeverinë në veprimet e mëtutjeshme. Sinqerisht ne nuk e kemi të qartë se në cilat faza ka kaluar ky dokument, mendoj duhet të diskutojmë në Komisionin Evropian se deri ku, deri në cilat faza konsultative ka kaluar ai dokument”, theksoi Kacarska.

Në lidhje me atë se a do të ishte zgjidhja referendumi, Kacarska tha se është duke u diskutuar dhe se nuk mund të përjashtohet as ky opsion.

“Nuk është bërë e ditur nga Qeveria. Megjithatë, do t’i kthehem sërish çështjes së anketave, duhet të jemi shumë kujdesshëm se si do të shtrohej pyetja në atë kontekst, si do të shkonte përgatitja për atë diskutim, sepse kemi një përvojë edhe nga referendumi me Prespën që nuk mendoj se është më i përshtatshëm përsa i përket mënyrës se si u prezantua integrimi evropian. Me gjasë gjëja më e rëndësishme që duhet të kuptojmë në vend është se integrimi evropian dhe diskutimet ndodhin brenda vendit, nuk është politikë e jashtme dhe mendoj se këtë po e shohim gjithnjë e më shumë tani, po e mësojmë në mënyrë të vështirë”, tha drejtoresha e IPE-it.

Ngjarjen e sotme e organizoi Instituti për Politika Evropiane në kuadër të mbështetjes organizative nga BE-ja. Në forum, palët e interesuara nga BE-ja, gjegjësisht me përfaqësues nga komuniteti hulumtues, grupet hulumtuese, si dhe disa nga ambasadat e vendeve anëtare të BE-së, diskutojnë se si Ballkani Perëndimor “kaloi” në Samitin e qershorit dhe marrin parasysh një mori idesh që dolën nga shtetet anëtare, si dhe nga rajoni në lidhje me të ardhmen e zgjerimit evropian.

Ndryshe, propozimi francez në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas takimit të mbajtur me partnerët e koalicionit më 1 korrik, në formë integrale në ueb-faqen e saj e ka publikuar propozimin nga presidenca franceze për tejkalimin e çështjeve mes RMV-së dhe Bullgarisë, me qëllim që t’i hapet rrugë fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, këtë propozim e ka vlerësuar si më të favorshëm se sa parapraku, të cilin e refuzoi në Bruksel.

Presidenti, Stevo Pendarovski, propozimin e modifikuar të presidencës franceze të BE-së e ka vlerësuar si të pranueshëm.

Por, kështu nuk mendon opozita maqedonase. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski tha se i ka ofruar që nëse e refuzon propozimin francez, ai do të heqë dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kovaçevski tha se ky propozim përfundimtar evropian mundëson fillimin e pakushtëzuar të bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE.

Opozita shqiptare e mbështet propozimin, ndërkaq partitë e vogla të koalicionit kërkojnë që i njëjti të ndryshohet.

Pos vendeve evropian, edhe SHBA përshëndet diskutimin për propozimin e rishikuar francez për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE me Maqedoninë e Veriut.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button