Liderët e Ballkanit të Hapur: Jemi për rajon të fuqishëm ekonomik i gatshëm për anëtarësim në BE

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, sot mbajti takim online me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dedikuar intensifikimit të bashkëpunimit për tejkalimin e përbashkët të vështirësive në furnizimin me ushqim dhe energji, si dhe për të përballuar bashkërisht zjarret e mundshme në të tre vendet këtë verë, transmeton Portalb.mk.

Liderët ranë dakord për krijimin e grupeve të përziera ndër-sektoriale të punës për temat e krizës dhe me qëllim krijimin e një agjencie të përbashkët për tërheqjen e investimeve të huaja në Ballkanin e Hapur.

Në takim morën pjesë zëvendëskryeministrat për Çështje Evropiane dhe Çështje Ekonomike, Mariçiq dhe Bytyqi, koordinatori nacional për Ballkanin e Hapur, Marjan Zabërçanec, drejtori i SHA “Elektranat e Maqedonisë së Veriut”, Vasko Kovaçevski dhe Branko Azeski, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut.

Në fillim të takimit, Kryeministri Kovaçevski falënderoi për mbështetjen e hapur që Presidenti Vuçiq dhe Kryeministri Rama e kanë shprehur në lidhje me propozimin e modifikuar evropian, duke informuar se propozim-korniza negociuese për Republikën e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian përfaqësuar nga presidenca franceze e BE-së, Qeveria e përcolli në Kuvend për shqyrtim dhe miratim të konkluzioneve të mëtutjeshme, në përputhje me procedurat e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Rama dhe Vuçiq veçmas përsëritën mbështetjen e tyre për aktivitetet e ndërmarra nga Kryeministri Kovaçevski, gjegjësisht hapjen e konsultimeve të gjera me aktorët shoqëror në vend, duke theksuar se e ardhmja evropiane e rajonit është e vetmja mundësi e mirë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.

Në takimin e sotëm, liderët e nismës Ballkani i Hapur theksuan rëndësinë e aktiviteteve të ndërmarra për të shfrytëzimin e lidhjes rajonale dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve, e cila tashmë ofron përfitime ekonomike për të gjithë qytetarët.

Në takim, liderët konkluduan se përgatitjet për panairin e madh të verërave, ushqimit dhe turizmit në Serbi po shkojnë mirë, në të cilin kantinat dhe prodhuesit e verës nga të tre vendet do të kenë mundësinë t’i prezantojnë produktet e tyre para mysafirëve nga rajoni dhe Evropa.

Në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button