SHBA bëri thirrje për përmbajtje nga dhuna në protestat në Shkup

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e respektojnë të drejtën e qytetarëve të Maqedonisë që në mënyrë paqësore të shprehin mendimet dhe pikëpamjet dhe bëjnë thirrje për përmbajtje nga çfarëdo lloj dhune në protestat në Shkup, thanë për MIA-n nga Departamenti Amerikan i Shtetit, transmeton Portalb.mk.

Ata theksuan se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE është faktor i rëndësishëm për forcimin e sigurisë në Evropë dhe për sigurinë e përgjithshme kolektive.

“SHBA janë mbështetës i fortë i integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor në BE është pa rezerva. Procesi i zgjerimit promovon paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet në të gjithë rajonin”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Uashingtoni i vlerëson shumë deklaratat e liderëve të BE-së për rëndësinë e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE si faktor për forcimin e sigurisë në Evropë dhe për sigurinë e përgjithshme kolektive.

“Ne respektojmë të drejtën e qytetarëve për të shprehur në mënyrë paqësore mendimet dhe pikëpamjet e tyre dhe u bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga çdo lloj dhune”, kanë vënë në pah nga Departamenti i Shtetit.

Ata përkujtuan se Maqedonia e Veriut i ka kryer detyrat themelore dhe se tani është koha për të kaluar në fazën e radhës të procesit të anëtarësimit.

“Duke e pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi për vendet e rajonit dhe për Evropën në përgjithësi, i ftojmë miqtë tanë të shfrytëzojnë mundësinë dhe të fillojnë procesin e anëtarësimit”, tha zëdhënësi.

Ndërkohë, sonte dhe nesër nuk do të ketë protesta, ndërsa protesta e ardhëshme është caktuar të dielën në orën 19:00 para Qeverisë.

Protesta e djeshme e gjashtë radhazi u zhvillua në mënyrë paqësore, gjatë së cilës folësit para Kuvendit, si në ditët e kaluara të protestës, kërkuan dorëheqje nga Qeveria dhe refuzim të propozimit.

Paraprakisht, Qeveria e ka përcjellë propozimin në Kuvend.

Lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, para fillimit të protestës, tha se “Qeveria ka frikë të vendosë vetë dhe fokusin e zhvendos në Parlament”, duke theksuar se VMRO-DPMNE nuk do të mbështesë asnjë ndryshim kushtetues.

Kujtojmë se pasditen e 5 korrikut është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas kundër propozimit francez, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.

Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri. Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button