Banorët e lagjes 146 s’kanë mjaftueshëm ujë të pijshëm, Kasami: projekti i ujësjellësit me probleme

Në këto ditë të nxehta vere banorët e lagjes 146 apo e njohur edhe si “Bregu i Diellit” në Tetovë nuk kanë mjaftueshëm ujë të pijshëm. Ky problem i shoqëron ata me vite, ndërsa vazhdimisht janë ankuar për të njëjtin, autoritetet deri tani nuk kanë arritur të ju sigurojnë ujë të pijshëm si një nevojë elementare për jetesë. Edhe pse punimet për rrjetin e ujësjellësit në këtë lagje filluan para një viti, ky projekt mbetet i papërfunduar. Kryetari i komunës thotë se projekti është me shumë mangësi, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse punimet për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në këtë lagje filluan vjet pak para fillimit të fushatës parazgjedhore. Ish-kryetarja Teuta Arifi aso kohe premtoi se ky sistem do të sigurojë ujë të pijshëm për tërë këtë zone dhe këtë lagje.

Por sot kjo lagje përsëri mbetet në gjendjen e njëjtë, nuk kanë ujë të pijshëm të mjaftueshëm. Për këtë ata shprehen të revoltuar ndaj autoriteteve.

“Nuk kemi ujë me vite të tëra, shtetit nuk i intereson, vijnë këtu para zgjedhjeve na premtojnë edhe ikin. Shekulli 21 të jesh pa ujë kjo veç te ne ndodh, mandej nuk na pranon Evropa, ku do na pranojë kur skena ujë për të pirë, kështu për në Afrikë jo në Evropë”- banor.

“S’kemi ujë për të pi, sidomos tash verës kur është nxehtë gjendjen e kemi më keq”- banor.

“Ato filluan kurse të punojnë vjet po më duket se sa për sy e faqe, vazhdojmë të kemi problem me ujin”- banor.

“Nuk kena jo, mbushim andej-këndej, ndonjëherë blejmë. Kjo është katastrofë dhe turp”- banor.

Në mungesë të ujit, banorët nga kjo lagje furnizohen me ujë përmes mbushjes në çezma publike në lagje tjera, përmes burimeve vetanake apo edhe e blejnë të njëjtin.

Lagja 146 Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Lagja Bregu i Diellit- 146 Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kryetari i Komunës së Tetovës thotë se projekti i ujësjellësit në këtë lagje është me shumë probleme. Ndërkaq nuk është i sigurt se nëse i njëjti do mund të përfundojë këtë verë.

“Është një ndër projektet të cilat i kemi gjetur me shumë probleme. Fillimisht gypi i prurjes së ujit nga rezervuari lartë nuk është përfunduar, sepse nuk është paraparë me të gjithë kostot dhe kanë dalë punime shtesë të cilët do të duhet të gjejmë zgjidhje juridike si do i realizojmë që të mund pastaj të vazhdojmë me realizimin e rrjetit e shpërndarjes me banorët. Aty nuk është paraparë edhe kyçja e banorëve. Duhet të shohim bashkëpunim edhe me banorët se si do realizohet edhe kyçja e banorëve në gypin e ujësjellësit. Janë ndër projektet që është realizuar me shumë mangësi dhe të cilat ne në proces e sipër mundohemi t’i zgjidhim dhe realizojmë. Nuk mund të garantoj (se do të realizohet këtë verë) aty për shkak se behët fjalë për procedura juridike të tenderimit të punëve shtesë të cilët kanë dalë që pastaj të mund të lidhen ata në gypin dhe sistemin e ujësjellësit”, tha Bilall Kasami.

Ndryshe, projekti për rrjetin e ujësjellësit filloi të ndërtohet tre javë para fillimit të fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar dhe punimet duhej të përfundonin brenda 90 ditëve.

Projekti parasheh ndërtimin e afër 5 km të tubacionit shpërndarës të ujit të pijshëm, në më shumë se 25 rrugë dhe rrugica të kësaj lagjeje, ndërtimin e 24 pusetave shpërndarëse dhe 8 hidranteve të ujit, me një kapacitet shpërndarës prej 20 L/sek.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button