RMV, paraburgim për tre persona të tjerë për ngjarjet e 5 dhe 6 korrikut para Kuvendit dhe në sheshin Skendërbej

Me propozimin e Prokurorisë Themelore Publike për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave, lidhur me ngjarjet e 5 korrikut para Kuvendit të RMV-së dhe të 6 korrikut në Sheshin Skënderbeu,, gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup, pas dëgjimit të të dyshuarve në prani të mbrojtësit, ka marrë vendime me të cilat e ka pranuar propozimin e prokurorit dhe të tre personave, sipas propozimit për kryerjen e procedurës, u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 8 ditësh, aipas propozimit për hetim në procedurë të shkurtuar, të shpallur nga Gjykata Penale, transmeton Portalb.mk.

Gjykata vlerëson se ekziston rreziku i arratisjes dhe mundësia e përsëritjes së veprës nga të dyshuarit. Kundër këtyre vendimeve të paligjshme, palët kanë të drejtë ankimi në Këshillin Penal të kësaj gjykate.

Prokuroria Publike dje ka njoftuar se pas kallëzimit të parashtruar penal ka iniciuar procedurë kundër një 40-vjeçari nga Shkupi i cili dyshohet se ka kryer vepër penale Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 288 paragrafi 3 në lidhje me paragrafi 1 i Kodit Penal.

Bëhet fjalë për personin i cili më datë 6 korrik në pllajën përballë sheshit “Skenderbej”, me armën që e posedonte me leje, ka shkaktuar rrezik të konsiderueshëm për jetën apo trupin e njerëzve. Gjatë lëvizjes së një grupi të qytetarëve të cilët kanë marrë pjesë në një tubim publik, ai ka vërejtur se si disa nga qytetarët gjuanin me gurë, pas së cilës është vërsulur drejt tyre dhe në dy raste ka qëlluar dy plumba në ajër.

Për dy persona të tjerë, nga ana tjetër, Prokuroria Themelore Publike Shkup ka iniciuar procedurë për vepër penale – Pjesëmarrje në turmë që do të kryejë vepër penale nga neni 385 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.

I pari prej tyre, 18 vjeç, dyshohet se më 5 korrik, gjatë protestave para ndërtesës së Kuvendit, ka marrë pjesë në turmë që ka kryer veprën penale-dhunë, duke përgatitur “koktej molotovi” në një shishe qelqi që e ka mbushur me benzinë, i ka vendosur një copë leckë dhe i ka vënë zjarrin. Shishen ia dha një tjetër pjesëmarrësi në turmë, i cili e hodhi në kordonin e ngritur nga punonjësit e policisë për të garantuar rendin dhe qetësinë publike para ndërtesës së Kuvendit.

I treti është një 22 vjeçar nga Shkupi, i cili gjatë protestave para Kuvendit të 6 korrikut ka marrë pjesë edhe në një turmë që ka kryer veprën penale – dhunë, duke marrë gurë dhe çakmakë nga çanta e krahut, me të cilat ka gjuajtur në disa raste në ndërtesën e Kuvendit dhe në kordonin e punonjësve të policisë. Në këtë proces ka mbetur i plagosur një punonjës policie.

Mijëra qytetarë u mblodhën dje në Shkup, për të gjashtën ditë me radhë, për të protestuar kundër një propozimi të Francës, që synon t’i zgjidhë disa mospajtime midis Shkupit dhe Sofjes, me qëllim që t’i hapet rrugë integrimit të mëtejshëm evropian të Maqedonisë së Veriut.

Partitë maqedonase në opozitë, që organizojnë protestat, thonë se ky propozim vë në rrezik identitetin maqedonas, ndërsa Qeveria, e cila e ka pranuar atë, thotë se ai ruan gjuhën dhe historinë maqedonase.

Për dallim prej disa ditëve të kaluara, kur protestat u përshkallëzuan në dhunë, tubimet e së enjtes ishin të qeta. Protestuesve iu drejtua udhëheqësi i partisë opozitare maqedonase, Hristian Mickoski, duke iu thënë se ata nuk duhet të lejojnë që të bien “pre e provokimeve”.

Të enjten, Qeveria e Maqedonisë së Veriut shqyrtoi propozimin e Francës dhe vendosi që ai të kalojë në Kuvend për miratim. Nga Kuvendi nuk japin informacione se kur do të mund të zhvillohet debati rreth tij. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një letër drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të enjten, tha se propozimi francez nuk është i përsosur, por fut vendin në BE.

Ndryshe, për sot janë paralajmëruar bllokada prej orës 13:00.

Kujtojmë se pasditen e djeshme është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas kundër propozimit francez, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.

Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri. Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka shpërndarë një fotografi të një personi me pistoletë në dorë, duke akuzuar se “ky është personi i cili është dashur të më vret”. Ai ka kërkuar nga MPB dhe ministri, Oliver Spasovski, personi të arrestohet. Dhunën e protestuesve e kanë dënuar partitë në vend, por edhe faktori ndërkombëtar.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button