Vazhdoi arrestimi i protestuesve që kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë

Policia e Maqedonisë së Veriut sot ka vazhduar me arrestimin e qytetarëve që gjatë protestës kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë të cilët ishin të angazhuar në ruajtjen e rendit, transmeton Portalb.mk.

“Pas marrjes së masave dhe aktiviteteve, u arrestua 22 vjeçari G.K. nga Shkupi. Ai më 6 korrik rreth orës 20:35, gjatë protestës që organizuar përmes rrjeteve sociale, ka filluar të gjuajë me lëndë të forta kah punonjësit e policisë”, sqarojnë nga Policia.

Ai kishte shkaktuar lëndime trupore të policit, ndërsa ndaj tij është paralajmëruar kallëzim penal në bazë të nenit 385 nga Kodi Penal “pjesëmarrje në tubime që kryejnë vepra penale”.

“Sot deri te Prokuroria Themelore Publike në Shkup është paraqitur kallëzim penal me procedurë të nxituar ndaj 18 vjeçarit J.S., në bazë të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale”, e dënueshme në bazë të nenit 385 nga Kodi Pena”, raportoi Policia për të arrestuarin.

Më 5 korrik i dyshuari kishte përgatitur koktej molotovi për të gjuajtur kah punonjësit e policisë dhe Kuvendi.

Në orët e pasdites, Prokuroria Themelore Publike ka propozuar kallëzim penal ndaj 18 vjeçarit, 22 vjeçarit dhe personit që ka gjuajtur me armë në sheshin “Skënderbeu”.

Ndryshe, pasditen e djeshme është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas kundër propozimit francez, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.

Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri. Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka shpërndarë një fotografi të një personi me pistoletë në dorë, duke akuzuar se “ky është personi i cili është dashur të më vret”. Ai ka kërkuar nga MPB dhe ministri, Oliver Spasovski, personi të arrestohet. Dhunën e protestuesve e kanë dënuar partitë në vend, por edhe faktori ndërkombëtar.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button