Qeveria e ka përcjellë në Kuvend propozimin francez

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e sotme të 59-të, e shqyrtoi informacionin nga Ministria e Punëve të Jashtme, për propozim-kornizën negociuese për Republikën e Maqedonisë së Veriut me BE-në, e përfaqësuar nga presidenca franceze me Bashkimin Evropian, njofton Portalb.mk.

“Në mbledhje, Qeveria vendosi që propozim-kornizën negociuese ta përcjell në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për shqyrtim dhe sjellje të konkluzave të mëtejshme, në përputhje me procedurat e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thonë nga Qeveria.

Propozimi francez në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas takimit të mbajtur me partnerët e koalicionit më 1 korrik, në formë integrale në ueb-faqen e saj e ka publikuar propozimin nga presidenca franceze për tejkalimin e çështjeve mes RMV-së dhe Bullgarisë, me qëllim që t’i hapet rrugë fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, këtë propozim e ka vlerësuar si më të favorshëm se sa parapraku, të cilin e refuzoi në Bruksel.

Presidenti, Stevo Pendarovski, propozimin e modifikuar të presidencës franceze të BE-së e ka vlerësuar si të pranueshëm.

Por, kështu nuk mendon opozita maqedonase. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski tha se i ka ofruar që nëse e refuzon propozimin francez, ai do të heqë dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kovaçevski tha se ky propozim përfundimtar evropian mundëson fillimin e pakushtëzuar të bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE.

Opozita shqiptare e mbështet propozimin, ndërkaq partitë e vogla të koalicionit kërkojnë që i njëjti të ndryshohet.

Pos vendeve evropian, edhe SHBA përshëndet diskutimin për propozimin e rishikuar francez për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE me Maqedoninë e Veriut.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button