Pas shkarkimit të drejtorit të “Higjienës Komunale”, ASH dhe Danella Arsovska i ndanë udhët

Kryetari i Komunës së Gostivarit dhe nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një deklaratë për TV24 deklaroi se është e mundshme që t’i jepet fund bashkëpunimit me kryetaren e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska, nëse është e vërtetë se është shkarkuar drejtori i NP “Higjienës Komunale”, i cili është kuadër i tyre, njofton Portalb.mk.

Taravari konfirmoi se personi i cili dje në sheshin “Skënderbeu” gjatë kohës së protestës antievropiane e ka nxjerrë pistoletën dhe ka gjuajtur në ajër është anëtar i Aleancës për Shqiptarët dhe se hoteli i tyre ndodhet në afërsi, të cilin protestuesit e kanë demoluar një ditë paraprakisht.

Në lidhje me drejtorin e shkarkuar të “Higjienës Komunale”, për të cilin në media thuhej se është vëllai i personit që ka gjuajtur me pistoletë, Taravari tha se nëse me të vërtetë është shkarkuar, bashkëpunimi i Aleancës për Shqiptarët me Danella Arsovskën mbaron.

“Këtë e flas personalisht, megjithatë, sot do të kemi edhe mbledhje partiake, unë personalisht do të kërkoj nga udhëheqësia, mendoj se këtu mbaron tregimi jonë në Shkup me Danella Arsovskën. Pas orës 12 të mbrëmjes të shkarkojë drejtor, pa konsultim, kjo është e papranueshme”, deklaroi Taravari.

Ndaj deklaratës së Taravarit ka reaguar Arsovska.

“Nuk e kuptoj mendjemadhësinë dhe komentet e zotëri Taravarit, duke e pasur parasysh se bashkëpunimi na ka mbaruar që mbrëmë. Zgjidhje kadrovike mundet ai personalisht të vendos në Gostivar, dhe jo në Shkup. Me personalitet i cili sulmon, i cili nuk ka busull etike, arsyeton çfarëdo forme të dhunës dhe sulmit me armë siç ishte incidenti i djeshëm i nxit tensionet ndëretnike, nuk ka bazë për bashkëpunim. Shkupi është qytet i bashkëjetesës, solidaritet, në të cilin bashkëqytetarët tanë duhet qetë dhe sigurt të jetojnë dhe të respektohen”, deklaroi Arsovska.

Ndryshe, mbrëmë Qyteti i Shkupit e shkarkoi Zudi Kokën nga pozita e drejtorit të “Higjienës Komunale”, pasi vëllai i tij derisa mbahej protesta antievropiane e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe Levica ka gjuajtur me pistoletë në ajër, nën arsyetimin se huliganë të caktuar një ditë më parë ia kanë demoluar objektin e tij privat.

Mickoski, menjëherë në FB nxori një fotografi të personit që ka gjuajtur me armë, duke theksuar se i njëjti ka dashur ta vret atë. Policia menjëherë e ka arrestuar personin në fjalë.

Përndryshe, Aleanca për Shqiptarët e ka përkrahur hapur dhe me aktivitete Danella Arsovskën, gjatë fushatës për zgjedhje komunale. ASH në Këshillin e Qytetit të Shkupit ka 1 këshilltar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button