MPB-ja identifikoi dhe arrestoi 18-vjeçarin që hodhi koktej molotovi në Kuvend

Gjatë 24 orëve të djeshme është privuar nga liria edhe personi që hodhi koktej molotovi në ndërtesën e Kuvendit më 05.07.2022, njoftoi MPB. Siç shtojnë ata, bëhet fjalë për 18-vjeçarin J.S. nga Shkupi, i cili është identifikuar nga incizimi dhe ka pranuar veprën, transmeton Portalb.mk.

Pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të ngritet kallëzim përkatës”, njofton MPB.

Dje policia i bëri thirrje publikut që të ndihmojë në identifikimin e huliganëve që nxisin dhunë gjatë protestave.

Ndryshe, gjatë protestave të djeshme u plagosën tre policë, ndërsa pesë huliganë u arrestuan.

“Dy nga policët janë lënduar në një incident në afërsi të bustit të Skënderbeut, ku me reagimin e shpejtë të policisë është evituar një incident i madh, me ç’rast është arrestuar menjëherë E.J.(40) nga Shkupi, i dyshuar se ka qëlluar me armë. Arma është siguruar, për rastin është njoftuar Prokurori Publik dhe pas dokumentimit ndaj personit do të bëhet kallëzim përkatës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Nga atje thonë se tre personave të tjerë u është hequr liria pasi kanë hedhur sende të forta ndaj punonjësve të policisë. Një polic është lënduar me sende të forta para Kuvendit të RMV-së dhe është ndalur për trajtim spitalor. Një tjetër person është arrestuar para një objekti hotelerik në zonën e Qendrës për filmime me dron pa leje.

Gjatë grumbullimit para Kuvendit është regjistruar edhe një ngjarje ku pjesëmarrësit në protestë kanë tentuar të largojnë një grup personash të maskuar, të cilët po shkaktonin incidente.

Ndërkohë dhunën e protestuesve e kanë dënuar partitë në vend, por edhe faktori ndërkombëtar.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button