“Rusino Pollog” në vështirësi financiare, disa komuna nuk kanë shlyer detyrimet

Katër nga komunat e Pollogut ende nuk e kanë shlyer obligimet në formë të subvencioneve për themelimin dhe funksionimin e ndërmarrjes së përbashkët publike “Rusino Pollog”. Nga ana tjetër, serioz është edhe borxhi i ndërmarrjeve komunale dhe koncesionerëve që deponojnë mbeturina në deponinë Rusino. Këto mospagesa shkaktojnë vështirësi në funksionimin e ndërmarrjes. Komunat borxhli shfajësohen, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse obligimet në formë të subvencioneve për themelimin dhe funksionimin e Ndërmarrjes së përbashkët publike “Rusino Pollog” nëntë komunat e rajonit të Pollogut duhej ta shlyenin deri në fund të vitit 2020, dy nga komunat nuk e kanë bërë të njëjtën, ndërsa dy të tjera pjesërisht.

Komuna e Zhelinës dhe Jegunocit nuk kanë bërë asnjë pagesë në këtë drejtim.

Gostivari edhe Tearca kanë bërë pagesa të pjesshme ndërkaq kanë ende borxh.

Sipas drejtorit të ndërmarrjes publike rajonale “Rusino Pollog”, Besim Doganit, ky borxh në emër të subvencioneve nga komunat e sipërpërmendura ndaj NPP Rusino Pollog është 1.885.494 denarë.

“Borxhe të prapambetura në emër të subvencionit kanë komuna e Zhelinës dhe Jegunocit të cilat nuk kanë bërë asnjë pagesa në këtë drejtim, dhe kanë një borxh prej 646.598 denarë, respektivisht 233.862 denarë. Pasojnë komuna e Gostivarit e cila prej gjithsej 2.217.580 denarë ka bërë pagesë të pjesshme dhe ka një borxh të prapambetur prej 948.992 denarë. Komuna e Tearcës nga gjithsej 606.602 denarë po ashtu ka bërë pagesë të pjesshme dhe ka borxh prej 56.048 denarë”, sqaroi Dogani.

Nga ana tjetër serioz është edhe borxhi i Ndërmarrjeve komunale dhe koncesionerëve që sjellin mbeturina në emër të këtyre komunave i cili ka arritur rreth 3.000.000 denarë.

This slideshow requires JavaScript.

Kështu, kjo paraqet mungesë së rrjedhës së parave të gatshme dhe vështirësohet pagesa në kohë e pagave të punonjësve dhe obligimeve ndaj operatorëve të jashtëm si dhe harxhimeve të përditshme rrjedhëse.

“Me këtë rast nuk do të kisha thënë se do të vijë deri te mbyllja e NPP Rusino/Pollog, por gjithsesi do të vije deri në bllokim të funksionimit të Deponisë Rusino dhe ne si ndërmarrje nuk do të jemi në mundësi të mirëmbajmë dhe mbajmë në funksion këtë deponi deri në momentin e shlyerjes së obligimeve nga ana e komunave dhe ndërmarrjeve komunale”, tha Dogani.

Komunat borxhlie shfajësohen

Komuna e Zhelinës arsyetohet me gjendjen financiare jo të mirë të komunës ndërkaq thekson se janë duke kërkuar zgjidhje.

“Komunat tona gjenden në një pozitë jo të favorshme si pasojë e borxhit të trashëguar prej më parë, pastaj edhe pandemia na e vështirësoi funksionimin me uljen e te hyrave deri në 70% dhe së fundmi edhe kriza ekonomike globale ndikon në plotësimin e buxhetit të komunës, nga se qytetarët kanë probleme reale në plotësimin e nevojave elementare dhe kjo sjell deri në pamundësinë e shlyerjes së obligimeve qytetare ndaj komunës që i kemi si të hyra vetanake. Jemi mobilizuar që të gjejmë një zgjidhje imediate për të kryer obligimet tona si komunë ndaj ndërmarrjes Rusino Pollog”, thanë nga Komuna e Zhelinës.

Komuna e Zhelines
Komuna e Zhelines

Komuna e Jegunocvit nga ana tjetër, e cila sipas ndërmarrjes “Rusino Pollog” nuk ka bërë asnjë pagesë për subvencionimin, thonë se e kanë shlyer të njëjtën.

“Komuna e Jegunovcës ju njofton se ka shlyer obligimin ndaj Ndërmarrjes Rusino Polog në shumë prej 233,862 denarë. Komuna e Jegunovcit ka lidhur marrëveshje me koncesion për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave komunale dhe llojeve të tjera të mbeturinave jo të rrezikshme në territorin e Komunës së Jegunovcës me koncesionarin, koncesionari është i obliguar që t’i shlyejë obligimet ndaj ndërmarrjes ku transportohen mbetjet”, thanë nga Komuna e Jegunovcit.

Por për këtë nga “Rusino Pollog” thonë se kanë kontrolluar të gjitha ekstraktet bankare dhe se nga kjo komunë nuk ka pagesë të tillë.

Kontaktuam përsëri Komunën e Jegunovcit për të na e vërtetuar të njëjtën nëse është bërë ndonjë lëshim por nga atje nuk u përgjigjën në pyetjen gazetareske.

Komuna e Jegunovcit, foto: SDK
Komuna e Jegunovcit, foto: SDK

Komuna e Gostivarit, e cila ka paguar një pagesë të detyrimeve  muajin e kaluar thotë se pjesa tjetër do të bëhet në vazhdim por pa precizuar se kur.

“Më datë 05.05.2022 është bërë pagesa prej 948.991 denarë dhe pjesa e mbetur po paguhet sipas planit dinamik të përgatitur nga Shërbimet financiare të Komunës së Gostivarit. Këtë plan të pagesës e kanë përgatitur pasi që është e ditur se gjendemi në vështirësi financiare për shkak të pandemisë dhe krizës financiare. Është e vërtetë që NPK “Komunalec” ka detyrime ndaj ndërmarrjes “Rusino” për shfrytëzimin e shërbimeve. Pjesa më e madhe e detyrimeve shlyhet me kompensim ndërmjet dy ndërmarrjeve, pasi që “Komunalec” asiston në mirëmbajtjen e deponisë. Janë gjithashtu evidente vështirësitë financiare në këtë ndërmarrje shkak të arsyeve të lartcekura dhe mos-pagesa e qytetarëve për shkak të krizës financiare”, sqaruan nga Komuna e Gostivarit.

Komuna e Gostivarit, foto: Portalb.mk
Komuna e Gostivarit, foto: Portalb.mk

Komuna e Tearcës e cila ka një borxh më të vogël në këtë drejtim thotë se kanë marrëveshje me ndërmarrjen për të njëjtin.

“Sa u përket obligimeve të mbetura me Ndërmarrjen e përbashkët publike “Rusino/Pollog”, Komuna e Tearcës ka marrëveshje paraprake për këtë obligim”, thanë nga Komuna e Tearcës.

Komuna e Tearcës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Komuna e Tearcës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndërmarrja Rusino Pollog e vuri në funksion deponinë Rusino më datë 26 janar të këtij viti kur edhe me vendim të Drejtorisë për mjedis jetësor nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, NPP Rusino/Pollog e fitojë të drejtën të menaxhojë me Deponinë Rusino.

Ndryshe, menaxhimi me mbeturina vazhdon të mbetet problem i pazgjidhur për të gjitha Komunat e Pollogut dhe jo vetëm. Në Maqedoninë e Veriut, për 17 vjet nuk mund të ndërtohet asnjë deponi rajonale sipas standardeve të BE -së, në të cilën përqindja më e madhe e mbeturinave të krijuara do të përzgjidhej dhe riciklohej, kompostohej ose digjej. Sot në Maqedoninë e Veriut, ka dhjetëra deponi ku mjedisi jetësor vazhdimisht ndotet, pa asnjë kontroll se kush hedh çfarë në këto vende, si dhe ku përfundon shkarkimi i mbeturinave që dekompozohen në natyrë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button