Spasovski: Policia parandaloi incident të përmasave të mëdha

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, sot pas kalimit të pjesës së kontrolleve fizike në procesin e selektimit të personave të paraqitur për zyrtarë policorë pas shpalljes së fundit publike, në një deklaratë për media, bëri thirrje që protestat të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe konfirmoi se në ngjarjen e djeshme kishte një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policor, transmeton Portalb.mk.

“Policia parandaloi incidentin, edhe atë një numër më i madh i policëve. Shikoni videot që janë publikuar nga mediat dhe nga ne. Ja vetëm një foto që do t’ju tregoj, a nuk është ky dikush që ndërhyn në vend-ngjarje? Kjo sigurisht që nuk duhet të ndodhë dhe që të mos ndodhë kjo, çdo qytetar duhet ta dijë se duhet të ketë protesta paqësore. Askush nuk e ka të lejuar të nxjerrë armë zjarri, mos e arsyetoni nxjerrjen e armës, ka mundur të ketë pasoja më të mëdha”, tha Spasovski.

Spasovski u bëri thirrje qytetarëve dhe subjekteve politike dhe të gjithë pjesëmarrësve që të zhvillojnë protesta paqësore.

Vandalizmi dhe dhuna në asnjë rast nuk do të japin rezultat, tha Spasovski.

Spasovski theksoi se kishte mjaft policë që nuk lejuan të ndodhë incident i përmasave më të mëdha.

Ministri tha gjithashtu se personi që hodhi bombën e molotovit në Kuvend është arrestuar dhe se detajet do të publikohen pasi të zhvillohen bisedimet e nevojshme.

Ndryshe pasditen e djeshme është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas kundër propozimit francez, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.

Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri.

Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka shpërndarë një fotografi të një personi me pistoletë në dorë, duke akuzuar se “ky është personi i cili është dashur të më vret”.

Ai ka kërkuar nga MPB dhe ministri, Oliver Spasovski, personi të arrestohet.

Dhunën e protestuesve e kanë dënuar partitë në vend, por edhe faktori ndërkombëtar.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button